Debati për Gjykatën e Lartë, demokratët akuzojnë republikanët se po abuzojnë me pushtetin

Kandidati për president i Amerikës, Xho Bajden, deklaron se kreu aktual i shtetit, Donald Trump, do abuzonte me pushtetin nëse do zgjidhte anëtarin e ri të Gjykatës së Lartë. Posti ka mbetur i lirë nga java e kaluar dhe republikanët kërkojnë ta plotësojnë sa më shpejt.

Një vend vakant në Gjykatën e Lartë amerikane po përplas palët politike që pretendojnë secila se kanë të drejtën ta plotësojnë më kandidatët e tyre, por në kohë të ndryshme.

Presidenti Donald Trump ka thënë se ai do ta emërojë pa vonesë pasardhësin e Ruth Beidër Ginsbërg, pas nga jeta të 87-vjeçares fundjavën e kaluar.

Edhe pse gjyqtarët e lartë janë në parim politikisht të pavarur në vendimmarrjet e tyre, Partia Republikane e presidentit me emërimin e ri do të siguronte shumicën, 6 nga 9 anëtarët, e cila do të interpretonte ligjet e vendit me prirje më konservatore për dekada me radhë.

Demokrati Xho Bajden, rivali i presidentit në zgjedhjet e 3 nëntorit, deklaroi të dielën se çështja e Gjykatës duhet të shtyhet deri në zgjedhjen e shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo mësohet se ishte edhe dëshira e fundit e gjyqtares së ndjerë, Ginsbërg.

“Tani është momenti të dëgjojmë zërin e votuesve dhe besoj se ata do e bëjnë të qartë se nuk e pranojnë një abuzim të tillë pushteti. Nëse Donald Trampi fiton zgjedhjet, atëherë Senati duhet të bëjë përzgjedhjen dhe të peshojë drejt kandidatët. Por nëse unë fitoj, kandidati i presidentit Trump duhet të tërhiqet. Do të jem unë ai që do emërojë pasardhaësin e gjytares Ginsbërg.”

Një sondazh i fundit nxori se 62 për qind e amerikanëve të intervistuar së fundmi mendojnë se anëtari i ri i Gjykatës së Lartë duhet të emërohet pas zgjedhjeve presidenciale.

Demokratët i kanë bërë thirrje senatorëve të krahut rival që të mos votojnë kandidatët e presidentit Tramp.

Gjatë një tubimi ditën e shtunë, ky i fundit tha se pasardhësja që ai ka ndër mend do jetë po grua.

Burimet mediatike raportojnë se në listën e presidentit janë 52-vjeçarja Barbara Lagoa, një amerikane nga Kuba e cila vitin e kaluar u emërua nga Tramp në Gjykatën e Apelit, dhe 47-vjeçare, Emi Koni Baret, po ashtu e mbështetur nga presidenti në 2017-n.

Baret ka bindje katolike dhe për të është debatuar më parë se nëse zgjidhet nga republikanët do të jetë më e ashpra për sa i përket idesë kundër legalizimit të abortit në vend.

SHKARKO APP