Deklarata e frikshme e guvernatorit të Kalifornisë: Parashikohet të infektohen 25.5 milionë vetë
Kalifornia, shteti më i populluar i SHBA-së, nxori urdhrin që 40 milionë banorët e saj të qëndrojnë në shtëpi. Guvernatori Gavin Newsom u tha banorëve se ata duhet të dalin nga shtëpia vetëm kur është e domosdoshme.
“Është një kohë kur duhet të bëjmë vendime të vështira. Duhet ta pranojmë realitetin”, tha ai. Guvernatori bëri dhe një paralajmërim të frikshëm. “ Nga përllogaritjet që kemi bërë rezulton se pa masa ekstreme, brenda 8 javësh mund të infektohet 56% e popullsisë në Kaliforni, apo 25.5 milionë vetë”, thoshte ai në një letër dërguar Trumpit, ku i kërkonte dërgimin e anijes spitalore USNS Mercy në portin e Los Angelesit.
Kalifornia është ndër shtetet e para amerikane që vendosi kufizime të përgjithshme. Në fillim të kësaj jave, Nevada po ashtu njoftoi se bizneset jothelbësore do të mbyllen për 30 ditë. Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 13,600 njerëz kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin nga 7,000 që ishin një ditë më parë.
Të paktën 200 kanë vdekur, një rritje dramatike krahasuar me shifrat e publikuara 24 orët e kaluara. Sipas të dhënave, personat e shëruar janë vetëm 108. Disa ekspertë thonë se shifra e të infektuarve mund të jetë shumë më e lartë, pasi testimet që bëhen janë shumë pak.