“Deklarata të çmendura”, ashpërsohen tonet. Kina reagon pas komenteve të Pompeos për origjinën e koronavirusit
Transmetuesi shtetëror i Kinës i kritikoi ashpër komentet e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në lidhje me origjinën e koronavirusit, duke i cilësuar ato si “të çmendura”.
CCTV tha përmes një raporti se pretendimi i Pompeos se koronavirusi ka dalë nga një laborator në qytetin e Kinës, Vuhan, “është një gënjeshtër e plotë”.
Transmetuesi kinez tha se politikanët amerikanë “po nxitojnë të zhvendosin fajin” dhe “të shtypin Kinën, në kohën kur përpjekjet e tyre kundër epidemisë janë rrëmujë”.
Komentet vijnë një ditë pasi Pompeo tha se “ka sasi të konsiderueshme të provave” se koronavirusi ka dalë nga një laborator i Vuhanit, edhe pse nuk dha më shumë detaje.
Pompeo e ka thënë këtë edhe më herët, edhe pse një teori e tillë është hedhur poshtë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa ekspertë shkencorë.
Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur ta akuzojnë njëra-tjetrën për përhapje të dezinformatave në lidhje me origjinën e koronavirusit qysh në muajin mars, kur një zyrtar kinez ka thënë se ushtria amerikane “mund ta ketë sjellë virusin në Kinë”.
Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar dhe, që atëherë, janë përhapur në mbi 180 vende të botës.
COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi, ka prekur mbi 3.5 milionë njerëz në botë dhe ka vrarë mbi 248,000./REL