Demokratët fitojnë njërën nga garat e balotazhit në Xhorxhia

Demokratët fituan njërën nga garat e balotazhit në Xhorxhia për dy vende në Senatin amerikan, ndërsa kryesojnë edhe për vendin e dytë, që do t’i siguronte përparësi presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili do të marrë detyrën gjatë këtij muaji.

Raphael Warnock fitoi përballë republikanes Kelly Loeffler, duke u bërë kështu senatori i parë me ngjyrë nga Xhorxhia.

Raphael Warnock, në radhët e demokratëve, fitoi përballë republikanes Kelly Loeffler, ndërsa demokrati Jon Ossoff ka një epërsi të ngushtë kundrejt republikanit David Perdue në garën e balotazhit që po zhvillohet në Giorgia.

Deri më tani janë numëruar 98 për qind të votave dhe Warnock kryeson kundrejt Loeffler me afërsisht 50 mijë vota, ndërsa Ossoff është në epërsi me rreth 4 mijë vota ndaj Perdue. Rezultati përfundimtar  ndërkohë pritet gjatë orëve të pasdites.

Nëse të dy demokratët Warnock dhe Ossoff do të fitonin, në Senat do të kishte një ndarje 50-50, duke i dhënë nënpresidentes së zgjedhur Kamala

Harris mundësinë për të hedhur votën përcaktuese pasi ajo dhe Biden të marrin detyrën më 20 janar. Demokratët kanë tashmë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një Senat i kontrolluar nga republikanët do të ndërlikonte miratimin e reformave legjislative të Biden gjatë dy viteve të ardhshme. Shumica e votave që mbetën për t’u numëruar janë nga zonat ku Joe Biden fitoi në nëntor, me rreth 13 mijë vota që ende duhet të numërohen në Qarkun DeKalb afër Atlantës, duke nxitur optimizmin e demokratëve.

Asnjë demokrat nuk ka fituar një garë për Senatin amerikan në Xhorxhia për 20 vjet.Warnock do të bëhet senatori i parë me ngjyrë nga Xhorxhia, ndërsa Ossoff, 33 vjeç, do të ishte anëtari më i ri i Senatit nëse fiton. Pjesëmarrja në votime tw martën ishte shumë e lartë ndërsa në nëntor, Biden u bë kandidati i parë demokrat që fitoi në Xhorxhia që nga viti 1992.

SHKARKO APP