Deputeti turk pëson atak kardiak teksa mbante fjalim
Deputeti turk Hasan Bitmez pësoi një atak në zemër dhe u rrëzua pranë podiumit në Asamblenë Kombëtare të Turqisë të martën pasi mbajti një fjalim.
Asambleja e Madhe e parlamentit turk po debatonte për buxhetin të martën, por Bitmez doli në temën e zjarrtë të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza, duke akuzuar izraelitët për ‘krime kundër njerëzimit’ dhe ‘spastrim etnik’.
“Edhe nëse historia do të heshtë, e vërteta nuk do të heshtë. Ata mendojnë se nëse na heqin qafe, nuk do të ketë asnjë problem. Megjithatë, nëse na hiqni qafe, nuk do t’i shpëtoni dot brerjes të ndërgjegjes”, tha ai.
Fjalët e fundit të Bitmez para se të rrëzohej ishin: ‘Izraeli nuk do t’i shpëtojë zemërimit të Allahut!’
Bitmez, 54 vjeç, vuan nga diabeti.
Për fat të mirë, një nga kolegët deputetë që nxitoi për ta ndihmuar, Turhan Comez i Partisë IYI, është mjek. Pasi Comez i dha ndihmën e parë në vendin e ngjarjes, Bitmez u largua nga dhoma e Asamblesë Kombëtare me barelë dhe u dërgua në kujdesin intensiv në spital.