Deputetja ukrainase flet për bombat që çdo ditë bien mbi Kharkiv: T’ia bëjmë Rusisë luftën të dhimbshme
“Jemi me fat që jemi ende gjallë”. Deputetja ukrainase, Maria Mezentseva, flet për A2 CNN për bombat ruse që çdo ditë bien mbi Kharkiv, qytetin e saj të lindjes. Ashtu si Presidenti Volodymyr Zelensky, edhe Maria shpreson që Perëndimi t’i japë Ukrainës miratimin për të përdorur në territorin rus armët me rreze të gjatë veprimi. Deputetja thotë për A2 CNN se plani tashmë është t’ia bëjnë Rusisë luftën shumë të dhimbshme.
Ju jetoni në Kharkiv. Një nga qytetet që ka qenë në qendër të sulmeve dhe bombardimeve ruse, edhe gjatë këtij shtatori. Dhjetëra raketa kanë shkatërruar apartamente dhe godina të tëra banimi. Është shtëpia dhe familja juaj mirë?
Deri tani, falë zotit, jemi të gjithë gjallë. Fatkeqësisht, disa nga miqtë e mi dhe familjarët e tyre janë plagosur dhe çdo javë nga fronti i luftës unë po marr ftesa, fatkeqësisht jo për ditëlindje, por për funerale. Pamjet që po shihni, bombardimet e blloqeve civile të banimit, shkollat e fëmijëve, ju shihni këtë zonjë të moshuar, ajo mezi ecën dhe këto pamje të jetës sonë të përditshme. Sepse qyteti jonë nga kufiri është gati 30 km larg. Ndaj, duhet me patjetër të forcojmë mbrojtjen tonë ajrore, por mbi të gjitha duhet të nisim të godasim e luftojmë vendet nga ku avionët rusë nisen, brenda territorit të Rusisë. Sipas çdo ligji ndërkombëtar, çdo ekspert apo çdo njeri që ka nisur të studiojë luftën, do t’ju thotë se këto janë krime masive lufte. Ata shënjestrojnë vetëm civilët. Dje patëm një sulm masiv në një nga lagjet më të populluara të Kharkivit. Për një farë kohe atje ishte shumë qetë, por papritur rusët vendosën të sulmojnë pallatet. Sot edhe godinat 5-katëshe i shihni bosh. E shihni këtë gropë të tmerrshme? Disa nga familjet dolën në kohë në korridore dhe arriti të shpëtojë vajza 9 vjeçe dhe e gjithë familja. Në atë pallat, sot u konfirmuan të vdekur një grua 72 vjeçe dhe 3 civilë të tjerë. Më shumë se 30 të tjerë u plagosën. Shumë miq të mi ishin banorë në këtë godinë. Tani janë zhvendosur nëpër hotele. Ne po mundohemi të sigurojmë gjithçka të nevojshme për ata që mbeten të pastrehë. Na duhet të jetojmë me këtë situatë çdo ditë. Ne i bëjmë thirrje botës sot, siç ka bërë edhe Presidenti Zelensky nga salla e OKB, që të forcojmë mbrojtjen tonë ajrore me sisteme të tilla si Patriots, që të na japin mundësinë të përdorim raketat me rreze të gjatë veprimi si ATACAMS e STORM SHADOWS. Dhe duam drejtësi. Ne kërkojmë drejtësi. Çdo krim që është bërë në Ukrainë është regjistruar nga policia ndërkombëtare, nga prokurorë rajonalë e ndërkombëtarë. Këto akuza në fund do t’i shtohen regjistrit ndërkombëtar të dëmeve, të cilën Shqipëria, por edhe më shume se 40 shtete të tjera të botës janë dakordësuar që ta krijojnë dhe ne mendojmë që asetet e ngrira të qeverisë ruse duhet të përdoren për rindërtim dhe për viktimat e kësaj lufte.
Maria, cila është përditshmëria juaj në qytet dhe ku rrini gjatë natës?
Do jem shumë e sinqertë me ju. Shkoj shumë rrallë në strehat nëntokësore. Ndonjëherë e kuptoj që bombardimet kanë ndodhur dhe nuk kemi kohë të lëvizim. Nëse është raketë, vjen për 40-50 sekonda. Kur shënjestrohemi gjatë natës, dhe Rusia këtë po e bën vazhdimisht, ti je ende në gjumë, pastaj mundohesh të gjesh një rrugëdalje, mundohesh të shkosh në streha, por në rastet si kjo godinë për shembull e ndërtuar në vitet ‘70, nuk janë vendi më i sigurtë. Kjo është ajo që ne e quajmë një “ruletë ruse”, ti kurrë nuk e di se kur dhe ku do vijnë bombat ruse. Gjthsesi, dua shumë të falenderoj ekipet tona të emergjencës që reagojnë menjëherë. E ke një shans të mbijetosh. Është e vështirë për ata njerëz që kanë paaftësi e pamundësi fizike. Kjo është vërtet sfiduese. Sot që po jap këtë intervistë, kam disa takime edhe përmes Zoom me zyrën e Presidentit, me disa ministra, po kalojmë disa ndihma ushtarake ushtarëve tanë guximtarë, që po shërbejnë në zonën e Kharkivit. Do takojmë njerëz që kanë humbur shtëpitë, do mundohemi t’u sigurojmë gjithçka u duhet dhe sigurisht jemi në komunikim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Sepse dimri i acartë po vjen dhe ju e dini që infrastruktura jonë kritike që siguron energji elektrike dhe nxehtësi, është dëmtuar, ndaj edhe po punojmë me partnerët për t’u përgatitur për dimrin që kemi përpara.
Maria, ke frikë se qyteti yt mund të bjerë njësoj si Avdivka apo Bakhmut?
Jo. Nuk dua të flas për qytetet guximtare si Avdivka apo Bakhmut. Jam e sigurtë që një ditë ushtria ukrainase do t’i rimarrë ato, do të jenë prapë në kontrollin tonë dhe që do rimarrim të gjitha territoret tona. Kharkivi ishte qyteti me 2 milionë banorë që jetonin këtu para invazionit rus në shkurt të 2022. Tani jemi 1,3 milionë. Është një territor shumë i madh. Është qyteti më i madh në lindje të Ukrainës. Jemi shumë pranë kufirit me Rusinë. Shkollat sot janë zhvendosur nën tokë, universitetet po ashtu. Meqenëse ra fjala, unë jap mësim, në degën diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Orët i bëjmë online. Medalistët tanë në Lojëra Olimpike, kampionët, ata me medalje të arta, nuk po trajtohen dot siç duhet. Oficerët e policisë, mjekët, ndihma e shpejtë, janë të gjithë këtu. Ata nuk janë larguar. Ne do vazhdojmë të luftojmë dhe mendoj se gjëja më e rëndësishme është që t’i tregojmë botës se çfarë po ndodh këtu. Ne nuk patëm pushime vere, ne nuk kemi asnjë ditë pushim, nuk i takojmë shpesh familjarët tanë sepse jemi shpërndarë në të gjithë vendin. Nuk kemi mundësi as të kujdesemi për kafshët tona shtëpiake. Siç e shihni në pamje, forcat e emergjencave po shpëtonin një qen. Pronari i tij refuzonte të largohej nga apartamenti i tij në flakë, pa e marrë me vete. Kjo tregon humanitet të madh, por ne duhet të vendosim drejtësi. Ndaj, jam shumë e lumtur t’ju informoj se Shqipëria, ne, të gjitha vendet europiane, më shume se 40 shtete qark globit, nga Këshili i Europës kemi vendosur të krijojmë Gjykatën Speciale për krimet ruse që do merret me genocidin, krimet e kryera nga Putin. Ne besojmë vërtet se kur ta fitojmë këtë luftë, gjatë kohës që përgatitemi për fitore dhe gjatë kohës së çlirimit të territoreve, do duhet të sigurojmë drejtësi. Kjo është shumë e rëndësishme. Dua edhe t’ju falenderoj për mbulimin mediatik në Kharkiv.
Presidenti Zelensky është në Shtetet e Bashkuara. Ai ka kërkuar përsëri ndihmë, para dhe leje nga Amerika e Britania që të përdorin raketa me rreze të gjatë veprimi brenda territorit rus. Është kjo zgjidhja apo i frikësoheni faktit se kjo mund të zgjojë një Putin edhe më të egër?
Është padyshim zgjidhja. Me dronët që aktualisht Ukraina po i prodhon, përmes tyre po arrijmë të zbulojmë ato që ne i quajmë pikat e të keqes, siç bëmë javën e shkuar kur goditëm një nga magazinat e tyre më të mëdha të armëve. Ne nuk po shënjestrojmë civilët, qëllimi ynë është që këto pika të tyre të dalin jashtë funksionit sepse nga aty Rusia po lëshon raketat e bombat e saj. I bëjmë thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar dhe shteteve që po ndihmojnë Rusinë me armë, sepse ato armë po vrasin fëmijë. Për ne është shumë e rëndësishme që Presidenti Zelensky po prezanton planin e tij me 5 pika, asnjë nga ne nuk e ka parë, por besojmë se është një plan fitoreje me 5 pika, që i dedikohet diplomacisë, por duhet që të veprojmë edhe ushtarakisht. Kështu që edhe Storm Shadoës edhe Atacams mund të përdoren për këtë, anëtarët e NATO-s duhet të veprojnë unanimisht dhe të japin bekimin e tyre.
Më lejo të të pyes, çfarë mendon për ndihmën e Perëndimit, në terma ushtarakë dhe financiarë. Është mjaftueshëm për t’i rezistuar sulmeve ruse?
Mund ta them në një fjali, gjithnjë mund të bëhet më mirë. Pritëm për 7 muaj për paketën e ndihmës 40 miliardë dollarë nga Shtetet e Bashkuara. Kongresi për një kohë të gjatë nuk votoi dot sepse nuk dakordësoheshin dot. Gjatë këtyre 7 muajve, shumë familje humbën jetën, shumë ushtarë humbën jetën, ndaj çdo ditë e kësaj pritje ne paguajmë çmimin më të lartë, çmimin e njerëzve tanë më të mirë, që nuk mund t’i kthejmë më. Gjithashtu, dua të përmend se gjatë luftës, Rusia ka marrë peng civilë, gjë që ndalohet nga ligji ndërkombëtar. Dhe po ashtu i bëjmë thirrje Federatës Ruse që të vazhdojmë shkëmbimin e të burgosurve. Ne po mbrojmë veten. Kjo është vetëmbrojtje. Ne nuk donim që kjo luftë të ndodhte, jo vetëm nga 2014. Rusia gjithnjë ka dashur Ukrainën, si shtet, si vend. Ndaj, ne e quajmë luftë gjenocidale.
Maria, ti mban disa pozicione kyçe në çështjet e integrimit europian dhe meqënëse prej javësh tashmë Presidenti Zelensky flet për një plan fitoreje, a je në dijeni të këtij plani? A është BE në dijeni të këtij plani?
Mendoj që partnerët e dinë për çfarë bëhet fjalë. Besoj se plani i përgjithshëm i është prezantuar aleatëve që në Zvicër, flas për planin e paqes me 10 pika. Që përfshin në të çdo opsion, nga siguria ushqimore, tek fëmijët e deportuar nga Ukraina, që të kthehen menjëherë në vend, shtete të ndryshme mund të bashkohen për pika të ndryshme të këtij plani. Gjithsesi, tani Presidenti Zelensky po promovon një version më të shkurtër të këtij plani dhe këtë e bëri edhe në takimin që pati me Presidentin amerikan Joe Biden.
Gati 950 ditë luftë. Kur do të mbarojë dhe si? Sepse Presidenti Putin nuk pranon asnjë plan paqeje.
Duhet ta bëjmë këtë luftë shumë, shumë të vështirë për Rusinë. Duhet ta bëjmë të papërballueshme. Në terma të drejtësisë, në terma të ekonomisë, me periudha të gjata sanksionesh ndaj saj, jo vetëm ekonomikisht, por edhe në sektorët që prekin drejtpërdrejtë jetën e tyre. Duhet ta ngrejmë zërin qark globit, në gjuhë të ndryshme. Ndaj, mendoj se ne duhet të bëjmë mirë detyrat e shtëpisë, mendoj që diplomacia ukrainase është guximtare dhe solide, por sigurisht familja jonë që po shërben në luftë, vëllezërit e mi, burri im, duam që të shohim më shumë ndihmë. Ushtria ukrainase e ka provuar tashmë sesa eficente ka qenë me 600 lloje të ndryshme armësh që kanë ardhur nga aleatët.
Maria, ky ka qenë një vit shumë special për ty, personalisht, je martuar këtë prill, me një ushtarak. Është e vështirë të martohesh në kohë lufte, sidomos me një ushtarak?
Mendoj se çdo familje që pjesë të saj ka anëtarë që po shërbejnë në luftë, që mund të jetë burri, gruaja, vëllai, motra, mendoj se gjëja më sfiduese është të mbledhësh veten e të ruash qetësinë. Të jesh OK kur do të qash, kur do të lidhesh me të por nuk mundesh, kur nuk merr përgjigje menjëherë në telefon, duhet shumë energji sepse nuk shihesh shpesh. Jam shumë e lumtur që ne krijuam një familje gjatë këtyre kohëve sfiduese dhe kjo zhvillon një Ukrainë më të fortë. Unë kështu e shoh.