“Det me kokainë”, policia sekuestron 4.5 tonë. Mes të arrestuarëve edhe dy shqiptarë
Policia spanjolle në bashkëpunim me Gardën Civile organizoi me sukses një operacion antidrogë në fund të së cilit u sekuestruan plot 4.5 tonë lëndë narkotike e llojit kokainë.
Droga u kap në një anije mallrash me flamur togolez nëse ajo ishte duke lundruar 80 milje në lindje të ishujve Kanarie. Në pranga ranë 15 persona që udhëtonin në anije, 2 prej të cilëve shqiptarë.
Operacioni ishte tepër i vështirë për shkak të motit të keq dhe detit me dallgë. Sipas informacioneve lënda narkotike ishte ngarkuar në Amerikën e Jugut dhe ishte kamufluar me një sasi të konsiderueshme kafeje.
Ende nuk dihet identiteti i shqiptarëve të arrestuar në këtë operacion, ndërkohë që vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.