Dhuna ndaj aziatiko-amerikanëve, protesta në Washington

Amerika po shënon rritje të rasteve të dhunës dhe urrejtjes ndaj komunitetit aziatik. Gjatë periudhës së pandemisë, mes marsit 2020 dhe shkurtit 2021, personat me prejardhje nga vendet e Azisë raportuan mbi 3,800 incidente në të 50-ta shtetet amerikane.

Një sulm që la 8 të vrarë javën e shkuar, po ashtu kishte në objektiv pjesëtarë të komunitetit. Të dielën, banorë të Nju-Jorkut, Uashingtonit dhe më gjerë dolën përkrah tyre për t’u sensibilizuar kundër ksenofobisë.

“Kemi parë shumë akte të tmerrshme dhunë ndaj aziatikëve dhe të moshuarve aziatiko-amerikanë. Mendoj se kemi arritur cakun,” tha biznesmeni Anthony Wu.

Nuk duroj më që të dukemi si minoriteti model, sepse ka nga ne që janë të margjinalizuar, që nuk ndjekin dot universitetin. Mendojnë se jemi të gjithë të suksesshëm, që nuk na duhet ndihmë, por kjo nuk është aspak e vërtetë.” tha autorja e librave për fëmijë Michele Wong McSween.

Dhuna kundër aziatiko-amerikanëve është denoncuar në disa shtete amerikane në javët e kaluara, madje të premten edhe presidenti Joe Biden takoi liderë të komunitetit dhe u premtoi forcim të legjislacionit për krimet kundër tyre.

Aktivistët për të drejtat e aziatiko-amerikanëve thonë se sulmet ndaj komunitetit janë nxitur nga ish-presidenti Donald Trump, i cili vitin e kaluar fajësoi Kinën për përhapjen e koronavirusit.

SHKARKO APP