Dialogu Kosovë-Serbi, Borrell mirëpret qëndrimin e Vuçiçit për propozimin e BE-së
Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell e ka mirëpritur qëndrimin e presidentit serb, Vuçiç të datës 23 janar, rreth propozimit evropian, i cili flet për rrugën që çon përpara dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç në Bruksel. Borrell i është referuar deklarimit të Vuçiçit, ku sipas tij nësë nuk e pranon planin e BE-së, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik.
Presidenti serb ka thënë, po ashtu se ky plan i BE-së që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara është një mundësi të re për negociata me Serbinë. Propozimi i BE-së, i njohur në publik edhe si plani franko-gjerman, u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike. Sipas BE-së, Borrell ka kërkuar sërish që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive te propozimi i BE-së.
Daçiç u informua në mënyrë pozitive për paraqitjen publike të presidentit Vuçiç për këtë çështje gjatë ditës së djeshme. AI më tej theksoi rëndësinë që të dyja palët të implementojnë në tërësi të gjitha obligimet e mbetura nga dialogu, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një etnik. Borrell është thënë te ketë biseduar me shefin e diplomacisë serbe edhe për rëndësinë e përshtatjes së politikës së jashtme të Serbisë, me atë të BE-së, pas luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë.
Daçiç, në anën tjetër, është cituar të ketë thënë se qëndrimet e Serbisë rreth kësaj çështjeje kanë të bëjnë me interesat e Serbisë dhe mbështetjen e Rusisë në Kombet e Bashkuara sa i përket Kosovës.