Dialogu Strategjik i SHBA-Katarit, memorandum për të konsoliduar dialogun dhe rritur bashkëpunimin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Katari njoftuan – gjatë konferencës së Dialogut Strategjik mes tyre i cili u mbajt të martën në Uashington – nënshkrimin e tre dokumenteve që përfshijnë theksin në konsolidimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve në të gjitha fushat vitale dhe vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe stabilitetit të rajonit.
Sesioni i hapjes së dialogut të parë strategjik mes dy vendeve u kryesua bashkërisht nga Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis, dhe Ministrit i Shtetit për Mbrojtjen Khalid bin Mohammed Al Attiyah dhe Ministri i Jashtëm Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani.
Në takim morën pjesë gjithashtu nga pala katariane Ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, kurse nga pala amerikane Sekretari i Energjisë James R. Perry dhe Sekretari i Tregtisë Wilbur Louis Ross Jr. Ndërsa eventi përmbyllës u kryesua nga Ministri i Financave të Katarit Ali Sherif Al Emadi dhe Sekretari Amerikan i Thesarit Steven T. Mnuchin.
Sipas asaj që deklaroi Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, dokumenti i parë përmban një memorandum mirëkuptimi për dialogun strategjik amerikano-katarian që do të mbahet çdo vit, dokumenti i dytë përfshin një deklaratë të përbashkët ku theksohet bashkëpunimi amerikan me Katarin në çështjet strategjike të sigurisë, ndërsa dokumenti i tretë përfshin një memorandum bashkëpunimi për luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore.
“Diskutuam çështje të përbashkëta të sigurisë, përfshirë situatën në Siri, Irak dhe Afganistan, rolin e Iranit në rajon dhe krizën e Gjirit” … “Pas tetë muaj krizë në rajonin e Gjirit, Shtetet e Bashkuara mbeten njësoj të shqetësuara si në fillim”, tha Rex Tillerson duke theksuar se kjo krizë “ka pasoja ekonomike dhe politike për të gjithë ata që janë të përfshirë, madje edhe Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme që palët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin”.
Sekretari Amerikan vuri në dukje rolin e Katarit në luftën kundër terrorizmit “duke bërë përparim të madh” dhe e cilësoi Katarin “partner të fortë dhe të vjetër të Shteteve të Bashkuara”.
Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm i Katarit Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani tha se të dy palët do të nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mbrojtjes dhe energjisë, kurse për krizën e Gjirit ai përsëriti se “Katari dhe populli i tij përjetuan një bllokadë ilegale”, ndërsa falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes dhe atë të Departamentit për qëndrimin e tyre ndaj bllokadës.
Kurse Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis, vlerësoi Katarin për angazhimin e tij në fushën e sigurisë dhe anti-terrorizmit, duke theksuar se ekzistenca e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit “forcon përpjekjet tona në luftën kundër terrorizmit dhe ISIS-it, si dhe për të adresuar përpjekjet negative të Iranit në rajon”.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes së Katarit Khalid bin Mohammed Al Attiyah, tha se Katari “nuk do të hezitojë për të mbrojtur sovranitetin e tij” sikurse pohoi që “Njëkohësisht nuk do të lejojmë manipulimin e çmimeve të naftës dhe gazit”.

Deklarata e përbashkët mes Dohas dhe Uashingtonit

Pas dialogut strategjik mes Katarit dhe Shteteve të Bashkuara, të dy vendet lëshuan një deklaratë të përbashkët ku theksuan marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin e përbashkët në dobi të popujve të të dy vendeve, si dhe konfirmuan lidhjen e fortë midis tyre dhe vendosjen e një vizioni të përbashkët për të ardhmen e partneritetit strategjik.
Siç vuri në dukje deklarata e përbashkët, Doha dhe Uashingtoni kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së marrëdhënieve dypalëshe, duke nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e dialogut strategjik çdo vit. Palët theksuan se dialogu do të diskutojë partneritetin në fushën e mbrojtjes, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, dhe në fushën tregtisë dhe investimeve.
Në deklaratë u përmend se “Katari dhe Shtetet e Bashkuara shqyrtuan dhe përshëndetën përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin e tyre në disa fusha përfshirë edhe bashkëpunimin politik. Të dy palët shprehën kënaqësinë e tyre mbi marrëdhëniet bilaterale që janë forcuar dhe zgjeruar kohët e fundit, gjë që tregon përkushtimin e përbashkët për të promovuar paqe dhe prosperitet në rrafsh global”.
Në lidhje me krizën e Gjirit, deklarata e përbashkët theksoi se Katari dhe SHBA-të diskutuan krizën dhe “shprehën nevojën për një zgjidhje të menjëhershme që respekton sovranitetin e shtetit të Katarit. Dy qeveritë shprehën shqetësimin në lidhje me efektet negative e të dëmshme të krizës në siguri, ekonomi dhe aspektin humanitar, si dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal”.
Shteti i Katarit vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në ndërmjetësimin për zgjidhen e krizës dhe mbështetjen ndaj përpjekjeve të Emirit të Kuvajtit Sabah Al Ahmad Al Jaber Al Sabah në këtë situatë. Katari dhe Shtetet e Bashkuara konfirmuan mbështetjen e tyre për një “Këshill Bashkëpunimi Gjiri” të fortë dhe të aftë në përballimin e kërcënimeve rajonale, sigurimin e një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjithë e rajonit – vijoi deklarata.
Gjithashtu “Katari theksoi rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në rajon në luftën ndaj kërcënimeve të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Dy qeveritë diskutuan rreth sigurisë dhe stabilitetit rajonal, përfshirë përpjekjet e përbashkëta për të mposhtur ISIS-in, situatën në Siri, Irak, Libi, Afganistan, si dhe zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit”.
Nga ana tjetër, deklarata e përbashkët vuri në dukje se Uashingtoni njohu rolin bujar humanitar të Katarit në nivel bilateral dhe multilateral përmes agjencive të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të dëbuarve dhe të zhvendosurve me forcë, ndihmën për refugjatët dhe për miliona njerëz të rrezikuar, sidomos gratë dhe fëmijët. Shtetet e Bashkuara gjithashtu pranuan përparimin e bërë nga Katari dhe angazhimet e saj të fundit për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të promovuar të drejtat e punëtorëve. Të dy qeveritë nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të vazhduar përparimin në këto fusha.
Katari dhe Shtetet e Bashkuara theksuan kontributin jetik të partneritetit të tyre të mbrojtjes në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit. Ky bashkëpunim u konsiderua faktor vendimtar për suksesin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe për t’i bërë ballë çdo agresioni të jashtëm. Shtetet e Bashkuara shprehën gatishmërinë për të punuar së bashku me Katarin, për tu përballur me kërcënimet e jashtme dhe cënimin ndaj integritetit territorit kombëtar, në përputhje me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Të dy qeveritë diskutuan programin e shitjeve të armëve amerikane që kapin shumën prej 24.7 miliardë USD midis Shteteve të Bashkuara dhe Katarit. Që nga viti 2014, Katari ka përdorur fondin e tij sovran për të blerë sisteme ushtarake të avancuara dhe për të kryer trajnime intensive me forcat amerikane. Shtetet e Bashkuara përgëzuan qeverinë e Katarit për këto blerje, duke thënë se ato kanë krijuar më shumë se 110 mijë vende pune për amerikanët dhe kanë ruajtur aftësitë e rëndësishme ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Deklarata theksoi se SHBA-ja mirëpriti ofertën katariane për të zgjeruar bazat amerikane në Katar, duke theksuar se “financimi katarian për shpenzime kapitale dhe vazhdimësinë e bazave kontribuon në mundësinë e vazhdimit të pranisë ushtarake amerikane në rajon. Dy qeveritë do të zhvillojnë diskutime të mëtejshme në lidhje me mundësinë e arritjes së përqendrimit të përhershëm të forcave ushtarake SHBA-ve në Katar.
Të dy palët shqyrtuan progresin pozitiv që është bërë në përputhje me dispozitat e Memorandumit të Mirëkuptimit për antiterrorizmin që u nënshkrua mes tyre më 11 korrik 2017, që përfshinte shkëmbimin e informacionit, luftën kundër financimit të terrorizmit, ruajtjen e sigurisë së fluturimeve dhe ngritjen e kapaciteteve. Shtetet e Bashkuara falënderuan Katarin për aksionin e tij në luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit në të gjitha format, duke përmendur faktin që Katari është një nga të paktat vende që kanë nëshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara në këtë fushë.
Për aspektin e tregtisë dhe investimeve, të dy qeveritë pranuan se sfidat me të cilat përballet Katari si rezultat i krizës së Gjirit kanë nxitur Katarin të kërkojë partneritete alternative tregtare. Katari theksoi se pavarësisht krizës, ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij tregtare ndërkombëtare.
Të dy vendet njohën rëndësinë e investimeve dypalëshe dhe riafirmuan angazhimin e tyre për të diskutuar kornizat e investimeve që adresojnë politikat tatimore dhe reduktojnë pengesat rregullatore.
“Dy qeveritë theksuan rëndësinë e investimeve të Autoritetit të Katarit që vlerësohen me 45 miliard USD në kompanitë amerikane si pasuri të patundshme dhe vende pune”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i Autoritetit të Investimeve të Katarit Abdullah bin Mohammed bin Saud Al Thani, ndërsa siguroi se Autoriteti po planifikon të rrisë investimet në infrastrukturën e SHBA-ve dhe të shtrihet në të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara.
Katari dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan memorandume të ndryshme mirëkuptimi në fushat e tregtisë dypalëshe, investimeve, teknologjisë dhe sigurisë kibernetike.
Të dy palët theksuan rëndësinë e ruajtjes së lirisë së lundrimit, fluturimit dhe tregtisë së lirë në mënyrë të papenguar në përputhje me ligjet ndërkombëtare.
Të dy qeveritë shprehën dëshirën e përbashkët për të forcuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe në sektorin e energjisë dhe nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi të veçantë për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë në këtë fushë.
Deklarata e përbashkët shtoi se procesi i ri i dialogut strategjik konfirmon përkushtimin e Katarit dhe Shteteve të Bashkuara për rritjen e bashkëpunimit në fusha praktike dhe reciprokisht të dobishme, përfshirë bashkëpunimin në fushën e sportit, arsimit, shëndetësisë, artit dhe kulturës.
Të dy palët shpresojnë të forcojnë më tej marrëdhëniet e tyre dypalëshe gjatë vizitës që do të kryejë Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani në Uashington gjatë këtij viti.
Katari dhe Shtetet e Bashkuara shprehën vullnetin të çojnë përpara bashkëpunimin në të gjitha fushat, gjatë takimit të radhës së dialogut strategjik mes tyre që do të mbahet në Katar më 2019.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?