“Digjet” Kalifornia
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të hënën në mbrëmje, pasi zjarret shkrumbuan sipërfaqe të mëdha toke në disa konte, ku raportohen edhe 3 viktima dhe mijëra të evakuuar. Ai kërkoi gjithashtu që presidenti Donald Trump të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore që do të siguronte fonde shtesë për të luftuar me flakët.
Flakët kanë shkatërruar deri tani qindra struktura dhe mijëra të tjera rrezikohen, ndërsa zjarrfikësit që po luftojnë me flakët numërohen rreth 1500. Pjesa më e prekur është lugina Napa, ku ndodhen vreshtari të shumta që gjithashtu nuk i kanë shpëtuar flakëve. Rreth 70 mijë vetë janë paralajmëruar që të largohen nga zona, pasi era e thatë po shtyn flakët drejt tyre.
Momentalisht janë 22 vatra zjarri aktive në të gjithë shtetin, dy prej më të mëdhave janë “Zogg” dhe “Glass”. Sipas CNN, që prej 15 gushtit, që prej nisjes së zjarreve masive, 29 persona kanë humbur jetën.