Diplomati amerikan: Konflikti Iran-Izrael drejt përshkallëzimit të rrezikshëm
Situata mes Iranit dhe Izraelit po përshkallëzohet dhe mund të hyjë në një fazë edhe më të rrezikshme, ka paralajmëruar diplomati amerikan Robert Malley, ish-negociatori kryesor për marrëveshjen bërthamore me Iranin gjatë administratës Obama.
Në një intervistë për BBC, Malley e cilësoi përplasjen e fundit mes dy vendeve si “një fuçi baruti që tashmë ka shpërthyer”, duke nënvizuar se tensionet nuk janë vetëm të momentit, por mund të vazhdojnë dhe të përshkallëzohen edhe më tej.
Sipas tij, anulimi i bisedimeve të planifikuara për këtë të diel në Oman mes Iranit dhe përfaqësuesve të administratës amerikane përbën një goditje për përpjekjet diplomatike. Ndërmjetësit nga Omani kanë bërë të ditur se Teherani e ka interpretuar ofertën për dialog si një mashtrim nga SHBA dhe Izraeli për ta qetësuar, ndërkohë që planifikonin sulme.
Malley vlerësoi se, megjithë suksesin e operacioneve izraelite në aspektin ushtarak dhe të inteligjencës, Irani ruan ende kapacitete të konsiderueshme bërthamore dhe dije teknologjike, duke e bërë rrezikun më të madh.
Ai përfundoi se shanset për një rifillim serioz të bisedimeve bërthamore në të ardhmen e afërt janë minimale, duke shtuar se rajoni përballet me një klimë të rrezikshme dhe të paqëndrueshme.
KOHA JONË SONDAZH

