”Donjetsku po bie”, Zelensky thirrje popullit: Kthehuni pasi Ukraina ka nevojë për ju

Ushtria ruse ka marrë nën kontroll qytetin Yasnaya Polyana, teksa luftimet në rajonin e Donjetskut kanë hyrë në një fazë intensive. Pushtimin e qytetit në fjalë e ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërsa raportohet se pesë civilë janë vrarë nga sulmet e Moskës në disa qytete të Donjetskut.

“Si rezultat i veprimeve aktive dhe vendimtare, njësitë e grupimit lindor çliruan vendbanimin Yasnaya Polyana të Republikës Popullore të Donetsk”, tha ministria ruse, ndërsa kreu i administratës ushtarake të rajonit, Vadym Filashkin konfirmoi viktimat.

Dy humbën jetën në Zarichny, një në Druzhkivka, një në Beretski dhe një në Uspenivka. Tre persona të tjerë u plagosën, sipas Vadym Filachkine, i cili konfirmoi gjithashtu se në total janë 2,850 njerëz të vrarë në rajon që nga fillimi i pushtimit rus. Teksa rusët përparojnë në Donjetsk, Presidenti Volodymyr Zelensky i është adresuar me një mesazh ukrainasve që jetojnë jashtë vendit për t’iu bashkuar ushtrisë.

Zelensky bëri thirrje që bashkatdhetarët e tij të kthehen, edhe pse shumë prej ukrainasve që “ia mbathën” për në Europë pretendojnë se kanë “arsye serioze” pse nuk mund të ndihmojnë atdheun e tyre. “Unë mund t’u kërkoj me zë të lartë ukrainasve tanë që janë jashtë vendit të vijnë dhe të ndihmojnë, të punojnë në industrinë e mbrojtjes, të ndihmojnë ushtarët tanë, të paguajnë taksat. Ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre”, tha Zelensky.

SHKARKO APP