“Dorëzohet” OBSH-ja, publikon raportin përfundimtar të Covid-19
Pas më shumë se tre vitesh hetimesh dhe debatesh të vazhdueshme, origjina e virusit COVID-19 mbetet ende një çështje e pazgjidhur. Një grup ekspertësh të emëruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar raportin përfundimtar, duke theksuar se mungesa e transparencës dhe e qasjes në të dhëna kyçe, sidomos nga Kina, ka penguar zbulimin e plotë të rrënjëve të pandemisë.
Sipas raportit, ekziston një bazë e gjerë provash që mbështet teorinë se virusi e ka origjinën tek kafshët dhe është përhapur te njerëzit përmes një procesi natyror. Megjithatë, ekspertët nuk e përjashtojnë tërësisht mundësinë që COVID-19 të ketë dalë aksidentalisht nga një laborator, ndonëse kjo mbetet një teori spekulative dhe e politizuar, e pambështetur nga prova të qarta shkencore.
OBSH ka përsëritur kërkesat ndaj autoriteteve kineze për të pasur qasje në sekuenca gjenetike virale dhe të dhëna të biosigurisë, por këto informacione thelbësore nuk janë vënë në dispozicion. Pa to, ekspertët nuk kanë mundur të arrijnë një konsensus përfundimtar.
Ndërkohë, Kina vazhdon të mohojë kategorikisht çdo mundësi për rrjedhje laboratorike dhe ka kërkuar që hetimet për origjinën e virusit të zgjerohen edhe në vende të tjera.
Pa të dhëna të reja dhe qasje të plotë shkencore, origjina e COVID-19 mbetet një nga misteret më të mëdha të kohëve moderne.
KOHA JONË SONDAZH

