Duke nisur nga java e ardhshme, Putin urdhëron nisjen e vaksinimit masiv

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ditën e sotme fillimin e vaksinimit masiv, duke nisur që nga java e ardhshme.

“Unë ju nxis të filloni javën e ardhshme vaksinimin masiv në të gjithë popullsinë,” u tha Putin zyrtarëve në një takim online të qeverisë, i cili u transmetua në televizionin shtetëror.

Rusia, vendi i katërt në botë sa i përket infektimeve me COVID-19, filloi vaksinimin në shkallë të gjerë muajin e kaluar.

Disa të dhëna flasin për 1.5 milion njerëz të vaksinuar deri më tani me vaksinën “Sputnik V”, raporton Hina.

Rusia nuk vendosi mbyllje të rreptë gjatë valës së dytë të shpërthimit, e cila filloi në shtator dhe zyrtarët thanë se kufizimet e synuara janë të mjaftueshme për të luftuar virusin.

Rreth 3.5 milion njerëz janë infektuar me Covid-19 në Rusi që nga fillimi i pandemisë, ndërsa mbi 63 mijë të tjerë kanë humbur jetën.

SHKARKO APP