DW: Nuk arrihet marrëveshje për emigrantët mes BE-së dhe Erdoganit

Nga Deutsche Welle

Presidenti turk kërkon më shumë solidaritet prej NATO-s. Ndërsa mes tij dhe BE-së ka mosmarrëveshje. Presidentja e Komisionit të BE-së, tha se ndodhemi në një dilemë, por marrëveshja për refugjatët është e vlefshme.

Situata në Idlib është kërcënuese për të gjithë Europën, tha presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. SIpas tij, askush nuk mund të qendrojë indiferent përballë krizës humanitare që po ndodh atje. Turqia ka bërë më shumë se çdo vend tjetër i NATO-s, dhe për këtë arsye ne „presim solidaritet”. Një Erdogan i vetëdijshëm takoi një përfaqësues të NATO-s krejtësisht të ftohtë, i cili premtoi, se do të mendojë për mbështetje të mëtejshme. Por njëkohësisht Stoltenberg i kërkoi Turqisë, që të kontribuojë për një zgjidhje afatgjatë në Siri, duke e kujtuar atë, se ai nuk ka bërë aspak miq në NATO me blerjen e sistemeve të raketave ruse.

Përpara se Erdogan të vazhdonte rrugën për në BE, ai siguroi në mënyrë verbale qeverinë greke: “Eshtë iracionale dhe pakujdesi, që aleatët dhe fqinjët tregojnë ndaj Turqisë dhe e bëjnë atë përgjegjëse për migracionin ilegal”. E më pas bisedimet me presidentin e Këshillit të BE-së Charles Michel dhe kryetaren e Komisionit Ursula von der Leyen nuk ecën mbarë për Erdoganin. Ai u largua nga takimi pa asnjë koment, duke mos u dhënë gazetarëve që prisnin asnjë version të tijin për rezultatin e bisedimeve. Kësisoj i mbeti kryesisë së BE-së, që të përdorë formulat diplomatike në deklarimet për shtypin. “Pati shkëmbim mendimesh, se si duhet interpretuar marrëveshja për refugjatët, dhe si e shohin këtë palët…Ne shkëmbyem mendimet e ndryshme që kemi lidhur me të”, deklaroi Charles Michel. Ishte një takim i rëndësishëm, po lëvizim në drejtimin e duhur – por ka ende shumë punë. Pra thënë më shkoqur, pozicionet pas bisedimeve janë po aq larg sa edhe para tyre dhe nuk ka pasur afrim qendrimesh.

Mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe BE

Erdogani prej kohësh pretendon, që BE-ja nuk e ka përmbushur pjesën e vet të marrëveshjes së 2016 dhe nuk i ka paguar miliarda eurot e premtuara. Në të kundërt BE thotë, se paratë janë lëvruar ose janë përcaktuar për projektet për refugjatët sirianë në Turqi si për ndërtimin e spitaleve e shkollave. Tani kryediplomati i BE-së Josep Borrell u ngarkua të takohet me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu, për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Duhen krahasuar faktet, tha Michel, duke shtuar se shpreson për çtensionimin e situatës. Një gjë është e qartë që palët nuk kanë avancuar.

Edhe deklarimi i kryekomisioneres Ursula von der Leyen nuk ishte me tone shpresëdhënëse: “Kemi biseduar hapur dhe kemi mendime të ndryshme”, tha presidentja e Komisionit. Tani duhet të gjejmë një rrugë përpara dhe të përcakojmë, se çfarë mungon prej marrëveshjes së vitit 2016. “Marrëveshja është e vlefshme”, ritheksoi ajo. Linja e be-së është e qartë: Nuk do t’i ushtrohet presion, as duke përdorur refugjatët si armë politike. Erdogani duhet të përmbushë pjesën e tij të marrëveshjes dhe pastaj mund të rinegociojmë. Bëhet fjalë për reciprocitet, shtoi von der Leyen. BE nuk do të japë fonde shtesë nëse Erdogani nuk bashkëpunon për çështjen e refugjatëve. Të zbatosh marrëveshjen nënkupton, që edhe Turqia duhet të përmbushë detyrimet e saj.

Nuk dihen kërkesat e Erdoganit – ai heshti

Von der Leyen nuk iu përgjigj pyetjes, se çfarë kërkon Erdogani. Por dihet, që ai prej kohësh kërkon më shumë para prej BE-së. Presidentja e Komisionit nuk pranoi qysh para takimit që të bisedohej për shifra: „Ne nuk bisedojmë për shifra”, tha presidentja e Komisionit. Megjithatë Komisioni i BE-së do të jetë i gatshëm të mbështesë me 500 milionë euro shtesë refugjatët sirianë në Turqi. Por disa vende anëtare si Franca dhe Austria janë kundër. Ata nuk pranojnë që të lëshohet pe nga presioni i ushtruar. Në fundjavë Erdogani e ashpërsoi retorikën dhe i kërkoi Greqisë në një fjalim, që të hapë kufijtë dhe t’i lerë refugjatët të kalojnë. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen tha në Bruksel, se: “Kufijtë e jashtëm të BE-së janë të mbyllur dhe do të mbeten të mbyllur”. Deri tani përpjekjet e Erdoganit për presion ndaj BE-së nuk kanë pasur sukses.

Si shenjë e vullnetit të mirë në fundjavë Erdogani vendosi kontrollet detare për të penguar kalimit përmes Egjeut drejt Greqisë, po ashtu edhe në kufirin greko-turk ndërkohë situata është qetësuar paksa./dw

SHKARKO APP