Dy viktima nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut, 22 raste të reja
Një burrë i moshës 63 vjeçe nga Dibra është viktima e dytë nga koronavirusi në Maqedonië e Veriut.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se burri ka shkuar më 17 mars në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup dhe se një natë më parë i ishte rënduar papritur gjendja shëndetësore.
63-vjeçarit i ishte vendosur respiratori, por nuk arriti të mbijetojë. Pacienti nuk vuante nga ndonjë sëmundje kronike, sipas ministrisë. Dibra e Madhe është një nga zonat më të prekura, menjëherë pas Shkupit nga COVID-19.
Ndërkohë, ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut njofton se janë shënuar edhe 22 raste të reja me koronavirus.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me Covid-19 shkon në 136, prej të cilëve 1 është shëruar, kurse 2 kanë ndërruar jetë.