E frikshme në këtë shtet, një viktimë çdo 44 sekonda nga Covid-19
Covid-19 po rezulton i frikshëm në SHBA. Një amerikan ka humbur jetën çdo 44 sekonda në muajin prill. Shifrat e frikshme raportohen nga CNN, që bazohet tek të dhënat e raportuara nga universiteti Johns Hopkins. Më shumë se 1,1 milionë persona janë infektuar me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, ndërsa bilanci i viktimave i tejkalon 66 000. Testet e kryera janë 6,8 milionë në një popullsi prej 330 milionë personash.
Shteti më i goditur mbetet Nju Jorku, që regjistron çerekun e të prekurve dhe viktimave. Më pak të rënda paraqiten shifrat nga pandemia në Evropë. Spanja raportoi 164 jetë të humbura nga Covid-19 në 24 orët e fundit, një përgjysmim i numrit të viktimave krahasuar me një ditë më parë.
Kjo është shifra më e ulët në një muaj e gjysmë, që përkon dhe me vendosjen e gjendjes së emergjencës. Që prej shpërthimit të koronavirusit, ky shtet ka regjistruar në total më tepër se 216 000 të infektuar dhe mbi 26 000 viktima. Italia humbi paksa ecurinë pozitive të ditëve të fundit, duke raportuar 474 viktima në një ditë. Në total, virusi i rrezikshëm u ka marrë jetën më shumë se 28 700 personave, ndërsa ka prekur plot 209 000 njerëz.