E quajti vrasës, pse Joe Biden dëshiron të takohet tani me Vladimir Putinin?

Nga Garry Kasparov, The Wall Street Journal

Administrata e presidenti të ri të Amerikës Joe Biden, solli një ndryshim dramatik të tonit të komunikimit të SHBA-së me Rusinë dhe Vladimir Putin. Në muajin mars, presidenti Biden e quajti troç dhe saktë Putinin“një vrasës”, duke treguar se ai nuk e shihte të nevojshme të ishte diplomatik në lidhje me udhëheqësin e një regjimi që ka sulmuar vazhdimisht interesat e jashtme të SHBA-së dhe vetë SHBA-në, gjë që e bëri të qartë edhe me sanksionet e vendosura ndaj Rusisë javën e kaluar.

Por toni nuk ka asnjë vlerë nëse nuk mbështetet nga një veprim i qëndrueshëm, që më herët ka munguar. Putin nuk është një strateg i klasit të parë, por ai i lexon mirë njerëzit dhe e nuhat dobësinë e tyre me instiktet e një kafshe.

Pas shumë fjalëve të thëna, zoti Biden duhet të tregojë se u qëndron parimeve të veta, përndryshe Putin do të supozojë se edhe administrata e re e SHBA-së është po aq e mefshtësa edhe 2 të mëparshmet. Më 13 prill, Biden dhe Putin biseduan për herë të dytë në telefon.

Në deklaratën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, thuhet se ndër të tjera u fol për sulmet kibernetike dhe ndërhyrjen ruse në zgjedhje presidencialet amerikane. Gjithashtu theksohet se Biden ka mbajtur një qëndrim të fortë lidhur me Ukrainën, teksa Putin po grumbullon shumë forca ushtarake në kufi më të.

Pastaj vjen fjalia e fundit, tamam si kthesa që marrin ngjarjet në një film horror. “Presidenti Biden. . . propozoi një samit në një vend të tretë në muajt e ardhshëm”. Një samit? Me një vrasës? Pra me këtë veprim, Biden i dha Putinit saktësisht atë që dëshiron ky i fundit:statusin e të barabartit me presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Edhe nëse nuk do të ndodhë kurrë, kjo ftesë dërgon mesazhin se Putin është i pazëvendësueshëm, së ai është ende i denjë për mbështetjen e oligarkëve dhe elitave ruse, të cilave ju garanton pasuritë.

Presidenti Trump u kritikua me të drejtë për sjelljen e tij skandaloze përballë Putinit në samitin e Helsinkit të vitit 2018, që nuk solli asnjë dobi për interesat e SHBA-së, dhe nga ana tjetër shumë përfitime për presidentin rus. As ky samit nuk do të ishte më i mirë për SHBA-në.

Dhe nëse kjo do të quhej diplomaci, harrohet fakti që diplomacia supozohet të ketë një qëllim. Deklarata binte në sy për mos-përmendjen në asnjë rresht të liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, shëndeti i të cilit po përkeqësohej edhe para se të fillonte një grevë urie në shenjë proteste ndaj trajtimit të tij mizor në burg.

Gabime të tilla duken të pashpjegueshme, veçanërisht duke marrë parasysh sanksionet e forta që SHBA-ja njoftoi dy ditë më vonë kundër Rusisë. Përmes një serie deklaratash të pasuara nga një konferencë e rrallë për mediat e Joe Biden, SHBA fajësoi hapur shërbimet ruse të inteligjencës për sulmin kibernetik ndaj“SolarWinds”, për përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020, dhe për vazhdimin e pushtimit të Krimesë.

Bashkë me shënjestrimin e individëve dhe kompanive të përfshira në ato veprime, SHBA-ja i pengoi bankat amerikane të marrin pjesë ne blerjen e borxhit sovran rus. Ky është një hap domethënës, përtej lojërave të zakonshme që Putin luan me kënaqësi me SHBA-në dhe Evropën.

Ai nuk shqetësohet aspak për Rusinë apo rusët, por shqetësohet shumë për pushtetin dhe paratë. Duke pasur këtë në mendje, nëse SHBA ka për qëllim të tregohet serioze në frenimin e Putin, ajo duhet të vendosë sanksione specifike, përfshirë konfiskimin e pasurive të miqve të tij oligarkë, familjeve dhe kompanive të tyre.

Nëse mbështet diktaturën mafioze të Putinit dhe përfiton prej saj, atëherë duhet të paguash edhe çmimin kur ai e kalon masën. Të mërkurën, SHBA-ja anuloi vendosjen e dy anijeve në Detin e Zi, ku ato synonin të shkonin për të vëzhguar nga afër dislokimet ushtarake të Putin në Ukrainë dhe përreth.

Pra, agresori Putin shpërblehet me koncesione, duke garantuar jo paqen por një agresion të mëtejshëm. Është i njëjti model që tashmë ka shkaktuar më shumë se 14.000 të vrarë në Ukrainë, si dhe 298 të pafajshmit e tjerë që humbën jetën në bordin e avionit “Malaysia Airlines Flight 17”, që u rrëzua nga forcat e Putinit në vitin 2014.

Të premten, Putin iu përgjigj thirrjes së zotit Biden për de-përshkallëzimin e situatës në Ukrainë, duke e inkriminuar organizatën politike të Navalny dhe duke bllokuar hyrjen e anijeve amerikane në Detin e Azov, duke e izoluar më tej Ukrainën.

Mesazhet e përziera nga Shtëpia e Bardhë janë edhe më shqetësuese, pasi nuk dihet burimi i tyre. Telefonata e së martës u zhvillua në kohën që Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ishin jashtë vendit, gjë që më shtyn të pyes veten se e kujt ishte ideja të minonin sanksionet me ofertë për një samit me Putinin.

Të premten, zëdhënësja e shtypit i Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, tha se ftesa “nuk ishte e parapërgatitur apo e paravendosur”. A ishte kjo lëvizje që të ngjall nostalgjinë e Luftës së Ftohtë, apo ka zëra të tjerë që i fryjnë në vesh zotit Biden?

John Kerry, një nga protagonistët e politikave katastrofike të qetësimit të presidentit Obama në Rusi si Sekretar i Shtetit, po endet sot nëpër botë me titullin e tij të ri, atë të të dërguarit për problemet e klimës. Ai u takua së fundmi në Indi me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Nëse Kerry ka ndikim tek Biden, ai mund të jetë duke promovuar “marrëveshje të gjelbra” të pavlefshme me Rusinë dhe Kinën, në këmbim të gjërave për të cilat ka interes si samitet, tubacionet dhe heqjen nga tryeza e bisedimeve të çështjes së të drejtave të njeriut.

Një përplasje midis realistëve gjeopolitikë dhe paqtuesve, mund të shndërrohet në një ndarje tjetër në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden.  Putin sulmon; Perëndimi hakmerret në mënyrë të dobët, pastaj ofron lëshime për dialog, derisa Putin të sulmojë përsëri. Është komode të flasësh për diplomacinë, por diplomacia nuk e ka ndryshuar asnjëherë sjelljen e një diktatori.

Bashkë me aleatët e saj në botën e lirë, SHBA-ja ka aftësinë të kërcënojë me një kundërpërgjigje dërrmuese ndaj pushtimeve të Putin, sulmeve të tij kibernetike, ndërhyrjes në zgjedhje dhe vrasjeve. Ajo që i ka munguar gjithmonë është vullneti për ta bërë këtë.

/Përktheu: Abcnews.al

Shënim: Gary Kasparov është kryetari i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut dhe Nismës për Ripërtëritjen e Demokracisë.

SHKARKO APP