Ekonomia e SHBA nis ngadalësimin – Rritet me vetëm 1.9% në T3. Lufta tregtare ndikon të bizneset

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit me një normë vjetore prej 1.9% në tremujorin e tretë, në rënie nga 2% që u regjistrua në të dytin. Ngadalësimi i rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë reflektoi rënien e shpenzimeve për konsum dhe shpenzimeve qeveritare si dhe një rënie më të madhe në investimet fikse, sipas Departamentit të Tregtisë.

Shpenzimet Personale për Konsum, zë që përbën më shumë se 2/3 e  aktivitetit ekonomik, u rrit me një normë vjetore prej 2.9% në tremujorin e tretë, nga 4.6% që ishte në të dytin. Investimet fikse, përjashtuar ato rezidenciale, një tregues që mat shpenzimet e korporatave në pajisje, ra me 3% në tremujorin e tretë, nga 1% tkurrje që regjistroi në të dytin.

Tregtia neto hoqi vetëm 0.08% nga rritja e PBB, nga 0.68% që ishte ndikimi negativ në tremujorin e dytë. Tregtia pati ndikim më pak negativ në tremujorin e tretë, por kjo erdhi prej faktorëve sezonalë.  Sipas analistëve, eksportet dhe importet u rimëkëmbën më pak se sa pritej gjatë verës, ndërkohë që tregtia botërore ishte ngadalësuar.

Të dhënat e fundit për Produktin e Brendshëm Bruto konfirmuan paralajmërimet se lufta tregtare e Washingtonit po jep ndikim te bizneset amerikane. Ndërkohë që shqetësimet për recesion janë hedhur poshtë, analistët presin një rritje ekonomike prej vetëm 1.75% këtë vit, nga 2.9% që ishte norma në vitin 2018.

SHKARKO APP