Ekspertët italianë: Koronavirusi pengon prodhimin e spermës dhe testosteronit

Koronavirusi është gjetur në spermën e 15% të pacientëve të cilët kanë rezultuar pozitivë, e si pasojë, kjo ndikon në prodhimin e testosteronit dhe spermës, është shprehur Shoqata Italiane e Urologjisë.

Nga një studim i kryer së fundmi, koronavirusi gjendet tek testikujt dhe spermatozoidët. Prania e patogjenit në spermë mund të shkaktojë një gjendje inflamatore në baza vaskulare “e cila shkakton të njëjtat simptoma si orkiti”, shkruan Shoqata Italiane e Urologjisë

Orkiti  është një inflamacion i testikujve që lidhet zakonisht me virusin e shytave i karakterizuar nga dhimbje dhe ënjtje të testikujve. Ekspertët thonë se këto kushte mund të vërehen edhe në një pjesë të pacientëve me COVID-19, të cilët gjithashtu kanë skuqje të skrotumit. Kjo situatë, në planin afatgjatë, mund të krijojë kushte për hipogonadizëm që ndikon në në prodhimin e testosteronit, thekson SIU (Shoqata Italiane e Urologjisë).

Ndryshimi hormonal duket se është i lidhur me përqendrimin e lartë të prolaktinës në gjak, e cila nga ana tjetër mund të ketë pasoja në dëshirën seksuale.

SIU thotë se aktualisht janë vetëm të dhëna paraprake, pasi hetimet janë ende në vazhdim dhe numri i pacientëve të përfshirë është ende i kufizuar.

“Deri më tani ka pak hetime të kryera dhe pak mostra të pacientëve , për të konstatuar praninë e virusit në lëngun seminal. Rezultatet e marra deri më tani janë gjithashtu kontradiktore. Të dhënat aktualisht të disponueshme nuk kanë një vlefshmëri shkencore objektive, “ u shpreh profesori Roberto Scarpa, President i Shoqatës Italiane të Urologjisë.

SHKARKO APP