Ekspertët zbulojnë se kush përfiton më tepër nga pandemia e koronavirusit
Me 7,154 të vdekur deri tani dhe 182,405 të tjerë të infektuar koronavirusi është kthyer në një ndër viruset më vdekjeprurës i cili po kërcënon botën. Mirëpo, pavarësisht dëmeve të mëdha në jetë njerëzore, pandemia e COVID-19 ka sjell edhe disa përfitime. Dhe përfituesi më i madh në këtë rast është natyra. Mbyllja e fabrikave e pastrimi i rrugëve, fillimisht në provincën Hubei të Kinës, e cili ishte edhe epiqendra e koronavirusit- ulja e lëvizjeve të banorëve eventualisht solli edhe një ulje të ndotjes së ajrit dhe një qiell blu.
Pavarësisht se gjithë kjo është një përfitim i paqëllimshëm, Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit të Kinës bën me dije se numri mesatar i “ditëve të ajrit me cilësi të mirë” u rrit 21.5% në shkurt, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por, Hubei nuk ka qenë i vetmi. Imazhet satelitore nga NASA dhe Agjensia Evropiane e Hapësirës tregojnë një ulje dramatike në emetimet e dioksidit të azotit – ato të lëshuara nga automjetet, termocentralet dhe objektet industriale – në qytetet e mëdha kineze midis janarit dhe shkurtit. Reja e dukshme e gazit toksik që varej nga termocentralet industriale pothuajse është zhdukur.
“Kjo është hera e parë që kam parë një përmbysje kaq dramatike mbi një zonë kaq të gjerë për një ngjarje specifike,” thotë Fei Liu, studiues për cilësinë e ajrit në Qendrën Fluturuese Hapësinore Goddard të NASA-s, raporton CNN. “Nuk jam shumë i surprizuar”, -vijon ai-“pasi shumë qytete në mbarë vendin kanë ndërmarrë masa për të minimizuar përhapjen e virusit.”
Konsumi i qymyrit u ul ndjeshëm. Stacionet e mëdha energjitike të qymyrit kanë bërë rënie të mëdha të konsumit, me gjasë sepse kërkesa për energji elektrike ka rënë. Grupit i studimeve të ndotjes së ajrit Qendra për Kërkime mbi Energji dhe Ajër të Pastër (CREA), ka bërë me dije se djegia e karburanteve fosile si qymyri lëshon dioksid karboni – dhe emetimet u ulën me të paktën 25% nga 3 shkurt deri më 1 mars.
Por disa janë të shqetësuar se pasi të kalojë kërcënimi i koronavirusit, Kina do të përqendrohet vetëm në rifillimin e ekonomisë së saj, dhe ndotja do të kthehet në fuqi të plotë.