Eksperti mjekoligjor: Miliarderi Epstein nuk u vetëvra
Vetëvrasja e miliarderit Jeffrey Epstein në qelitë e burgut, ndërsa priste të gjykohej për akuzat për abuzim seksual me minorenë, dhe shfrytëzim prostitucioni, ishte një lajm kryesor në mediat amerikane në 10 gusht. Por ka shumë nga ata që dyshojnë se miliarderi nuk ka vrarë veten, mes tyre është dhe vëllai i tij, i cili ka pajtuar një mjek mjaft të njohur për të hetuar për ngjarjen në fjalë.
Në një interviste në mediat amerikane, 85-vjeçari Michael Baden, ekspert mjekoligjor, deklaron se nga shenjat që ka gjetur në trupin e 66-vjeçarit Jeffrey Epstein dyshon se ka shumë mundësi që ai të jetë vrarë dhe jo vetëvrarë.
Baden përshkruan se ka gjetur dy thyerje në laringun e Epstein, gjë e rrallë kjo në rastet e vetëvrasjes. Ish mjek ekzaminues në Nju Jork, Baden shprehet se shenjat tregojnë se mund të kemi të bëjmë me një vrasje dhe se viktima është mbytur.
Jeffrey Epstein u arrestua në muajin korrik, pas denoncimeve të bëra nga disa femra se ishin rekrutuar kur ishin të mitura nga miliarderi për të ushtruar prostitucion në festat e organizuara prej tij. Hetimet dyshohet se do të nxirrnin në dritë shumë njerëz të njohur që merrnin pjesë në këto festa dhe që ishin miq të Epstein dhe për këtë arsye shumë besojnë se ai nuk u vetëvra në burg, por u vra.