Elisabeta II thirrje për harmoni e pajtim

Në mesazhin e saj televiziv me rastin e Krishtlindjes, Mbretëresha Elisabeta e Dytë e përshkroi 2019-n, si vitin e ulje ngritjeve. Ajo nënvizoi vlerat e harmonisë dhe pajtimit dhe foli sesi hedhja e hapave të vegjël mund të sjellë kapërcimin e pengesave të mëdha. 

Mbretëresha Elisabeta e Dytë nënvizoi vlerat e harmonisë dhe pajtimit në mesazhin e saj televiziv me rastin e Krishtlindjes, pas një viti me ulje ngritje për familjen e saj dhe për Britaninë me Brexit-in.

Përkrah bashkëshortit 98-vjeçar, që u përfshi në një aksident rrugor në janar dhe mosmarrëveshjeve publike të nipërve Princat William dhe Harry, 2019-a ka qenë sipas shumë komentatorëve një “annus horribilis” për Mbretëreshën.

Në lidhje me pajtimin, monarkia 93-vjeçare foli sesi hedhja e hapave të vegjël mund të sjellë kapërcimin e pengesave të mëdha.

“Me kalimin e kohës, nëpërmjet mësimeve dhe shembullit të tij, Jesu Krishti i tregon botës se si edhe hapat e vegjël të besimit dhe shpresës mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e gjata dhe të sjellin harmoninë dhe mirëkuptimin. Shumë prej nesh tashmë u përpoqën të ndiqnin gjurmët e tij, rruga, natyrisht, nuk ka qenë gjithmonë e qetë dhe ndonjëherë ky vit ka pasur ulje e ngritje. Por hapat e vegjël mund të sjellin një botë ndryshimesh,” tha Madhëria e saj Elisabeta.

Ndarjet rajonale dhe politike të Britanisë janë përkeqësuar që kur vendi me referendum vendosi të largohet nga Bashkimi Europian. Fitorja dërrmuese e zgjedhjeve nga kryeministri konservator Boris Johnson solli më në fund kalimin e marrëveshjes së Brexit-it në parlament, por gjithashtu zgjoi edhe thirrjet në veri për një tjetër referendum për pavarësinë e Skocisë.

Mesazhi i Mbretëreshës u mbulua nga komentet e shtypit që flasin për ndasi brenda oborrit. Në koleksionin e fotografive të familjes, mungoi ajo e Harry-it dhe bashkëshortes së tij Meghan.

Gjithashtu mungoi edhe fotografia e Princit Andrew, i cili u detyrua të tërhiqet nga jeta publike pas zbulimit të lidhjeve me financierin e ndjerë amerikan Jeffrey Epstein.

Mesazhi i Mbretëreshës u filmua në Kështjellën Windsor dhe u prodhua nga BBC-a.

SHKARKO APP