Emigrantët, Gjykata e BE refuzon sfidat kundër skemës së kuotave
Gjykata Europiane e Drejtësisë ka hedhur poshtë kundërshtitë e Hungarisë dhe Sllovakisë për skemën e detyrueshme të zhvendosjes së emigrantëve. Sipas Gjykatës, refuzimi i këtyre dy vendeve pengon lehtësimin e krizës së azilkërkuesve në Europë. Në rast kundërshtimi të mëtejshëm, Komisioni Europian mund të vendosë penalitete financiare ndaj shteteve.
Gjykata më e lartë e Bashkimit Europian ka refuzuar sfidën ligjore të hapur nga vendet e Europës lindore për marrëveshjen e zhvendosjes së emigrantëve, të nënshkruar në kulmin e krizës në 2015.
Gjykata Europiane e Drejtësisë ka hedhur poshtë kundërshtimet e Hungarisë dhe Sllovakisë për një skemë të detyrueshme me kuota të paracaktuara.
Hungaria nuk ka pranuar asnjë azilkërkues që kur masat u prezantuan 2 vite më parë.
Nën këtë skemë, janë zhvendosur vetëm 28.000 persona nga 160.000 azilkërkues të parashikuar kur masa u prezantua në shtator 2015.
Zyrtarët europianë këmbëngulën që në fillim se skema ishte detyruese për çdo shtet anëtar pavarësisht faktit nëse vendet kishin votuar pro ose kundër saj.
Kujtojmë se Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Rumania i kundërshtuan këto kuota.
Sipas zyrtarëve të këtyre vendeve, kjo politikë i ekspozonte ata ndaj rrezikut të terrorizmit islamist si dhe paraqiste një rrezik për shoqëritë e tyre homogjene.
Në Gjykatën e Drejtësisë, Hungaria dhe Sllovakia argumentuan se kishte gabime procedurale dhe se kuotat nuk ishin një përgjigje e duhur për përballimin e krizës së emigrantëve.
Por sipas vendimit të Gjykatës, ky mekanizëm është proporcional dhe kontribuon në lehtësimin e situatës në Greqi dhe Itali, dy prej vendeve që kanë hasur në fluksin më të madh të emigrantëve dhe azilkërkuesve.
Sipas Bashkimit Europian, politika e zhvendosjes së emigrantëve është një shprehi e rëndësishme e solidaritetit politik mes shteteve anëtare.
Teksa Hungaria dhe Sllovakia kanë dështuar në sfidën e tyre ligjore kundër skemës, kjo nuk korrigjon problemin politik.
Komisioni Europian mund të caktojë penalitete financiare kundër vendeve që ende refuzojnë të bashkëpunojnë lidhur me këtë çështje.
KOHA JONË SONDAZH

