EMRI/ I dënuar për trafik droge Shqipëri-Itali në vitin 1997, shqiptari kapet pas 20 vitesh në Napoli

Policia italiane ka arrestuar në Napoli shqiptarin Mihallaq Boraku, i cili ka qenë në arrati prej më shumë se 20 vjet.

Pas dy dënimeve përfundimtare për trafik ndërkombëtar droge të lëshuar nga gjykatat e Cuneo dhe Siena, ai ka ikur nga drejtësia, duke “u zhdukur” për vite me radhë. Të shtunën në mëngjes skuadra e policisë në Napoli prangosi 49-vjeçarin me origjinë shqiptare në rrethin napolitan të Ponticellit, shkruajnë mediat e vendit fqinj.

Tashmë, Boraku do të duhet të vuajë dënimin prej 8 vjet e 4 muaj heqje lirie në burgun e Secondigliano. Në zonën e Cuneo ai ishte ndalur në 1998 së bashku me një hotelier nga Bra, një punonjës nga Farigliano dhe disa bashkatdhetarë.

Boraku në atë kohë kishte ndërtuar një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Pulia e më pas e shpërndante nëpër Itali.  Ishte operacioni “Besa” (i titulluar shqip) i kryer nga drejtoria antimafia e Torinos e cila, në maj ’97, çoi në sekuestrimin e dyqind kilogramëve marihuanë të destinuar për tregun në provincat e Kuneo, Asti, Alessandria dhe Torinos.

Droga ishte sekuestruar në një pikë kontrolli në daljen e autostradës Asti Est në rrugën Torino – Piacenza. Mihallaq Boraku ia kishte dalë të jetojë në arrati në shtetin italian prej më shumë se 20 vitesh, edhe pse me dy dënime në mungesë për trafik droge.

SHKARKO APP