Ende ditë të këqija për Britaninë, bie optimizmi, dyfishohen vdekjet ditore
Një ditë pas ndezjes së shpresave në Mbretërinë e Bashkuar se me shifrat në rënie të infeksioneve dhe vdekjeve në tri ditë radhazi më e keqja ishte duke kaluar, numri i vdekjeve në 24 orët e fundit pothuajse është dyfishuar.
Janë 854 raportime të reja të vdekjeve nga koronavirusi në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar gjatë ditës së martë me një total prej 6,227 vdekjesh të regjistruara që kur nisi epidemia.
Ka pasur tre vdekje të tjera të koronavirusit në Irlandën Veriore, sipas përditësimit të fundit nga Agjencia e Shëndetit Publik të Irlandës Veriore.
Këto tre vdekje, të kombinuara me 758 nga Anglia, 74 nga Skocia dhe 19 nga Uellsi e çojnë totalin ditor në Mbretërinë e Bashkuar në gjithsej 854 të vdekur.
Shkencëtarët javët e fundit kanë parashikuar se kulmi i shpërthimit në Britani do të ishte për Pashkë, duke sugjeruar se kombi ka para shtatë ditë të trazuara.
Statistikat e sotme vijnë pasi Kryeministri Boris Johnson mbetet në kujdes intensiv në Spitalin “St Thomas” në Londër. Zëdhënësi i tij thotë se ai është me humor të mirë dhe merr frymë vetë.