“Erdhëm bashkë dhe do ikim bashkë”, COVID i merr jetën infermiereve binjakeve
Koronavirusi ka marrë jetën e mbi 200 mijë personave për rreth 4 muaj. Ky është një bilanc lufte dhe si e tillë është konsideruar kjo situatë në shumë vende pavarësisht se armiku është i padukshëm për syrin. Kjo bën që edhe ata që janë në frontin e parë të kësaj lufte të jenë edhe më të rrezikuar.
Mjekët, infermerët dhe i gjithë personeli shëndetësor në spitale ku trajtohen të infektuarit janë padiskutim personat më të ekspozuar ndaj një sëmundjeje vdekjeprurëse dhe shumë ngjitëse. Të shumta kanë qenë edhe viktimat në rradhët e tyre duke u përpjekur të shpëtojnë jetët e njerëzve.
Akoma edhe më i trishtë është është rasti që mësohet së fundmi në Britani ku dy motra binjake kanë humbur jetën pasi testuan pozitive për COVID-19
Infermierja e fëmijëve Katy Davis, 37 vjeç, vdiq të martën në Spitalin e Përgjithshëm “Southampton”. Binjakja e saj Emma, ish-infermiere, vdiq në të njëjtin spital të premten.
Motra e tyre, Zoe, tha: “Ato gjithmonë thoshin se kishin ardhur në botë së bashku dhe do të iknin së bashku”.
Binjaket jetonin së bashku dhe kishin probleme të tjera shëndetësore.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar sa të veçanta ishin“,- tha Zoe. “Gjithçka që donin të bënin ishte të ndihmonin njerëzit e tjerë. Që në fëmijëri… ato pretendonin se ishin mjeke dhe infermiere që kujdeseshin për kukullat e tyre. Ato dhanë gjithçka për të gjithë pacientët që u kujdesën. Ishin të jashtëzakonshme. Duket sikur kjo nuk është e vërtetë.”
Paula Head, shefi ekzekutiv i Spitalit Universitar Southampton NHS Foundation Trust, tha: “Katy është përshkruar nga kolegët e saj … si një infermiere që njerëzit do të aspirojnë të jenë si ajo dhe se infermieria ishte më shumë sesa thjesht një punë për të. Në emër të të gjithëve këtu … përfshirë pacientët tanë dhe komunitetet ku ne shërbejmë, unë do të doja t’i ofroja ngushëllimet tona të sinqerta familjes së saj.”
Kolegji Mbretëror i Infermierisë tha: “Ajo është përshkruar si një infermiere e përkushtuar dhe vetëmohuese që kishte kohë për të gjithë ata që ndajnë aftësitë dhe njohuritë në infermieri, për të siguruar një kujdes të shkëlqyeshëm për pacientin.”
Emma Davis kishte punuar në të njëjtin spital si motra e saj në njësinë e kirurgjisë kolorektale për nëntë vjet deri në 2013. Ema është përshkruar edhe si një infermiere e shkëlqyer, e qetë, e gëzuar dhe një drejtuese e mirë. Stafi i spitalit duartrokiti për Katy-n jashtë hyrjes kryesore të enjten në mbrëmje, disa orë para vdekjes së Emës.