Erdogan: Rinisim ofensivën në Siri nëse kurdët nuk tërhiqen

Forcat kurdë po vazhdojnë tërheqjen nga verilindja e Sirisë, por Turqia paralajmëron rinisjen e aksionit ushtarak, sapo armëpushimi i dakordësuar me Shtetet e Bashkuara të skadojë, nëse premtimet e dhëna nga Uashingtoni nuk do të mbahen.

Deklarata erdhi nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili foli përpara vizitës zyrtare në Rusi. Me homologun, Vladimir Putin, ai do të diskutojë për mënyrat e progresit që mund të arrihen për çështjen e Sirisë përpara samitit që mbahet në fund të këtij muaji.

“Do të diskutoj situatën aktuale në verilindje të Sirisë, veçanërisht në lindje të Eufratit, me mikun tim të dashur Valdimir Putin. Gjithashtu do të flasim edhe për largimin e kurdëve në zonat ku qëndrojnë elementë të regjimit sirian”, tha Erdogan.

Armëpushimi 5 ditor në ofensivën e Turqisë në territorin e Sirisë skadon sonte në mbrëmje. Qëllimi i ofensivës është të krijojë një zonë të sigurtë për të zhvendosur 3.5 milionë refugjatë sirianë që gjendjen në Turqi.

Zhvillimet e fundit janë komentuar edhe nga presidenti sirian, Bashar al Assad, i cili lëshoi akuza të rënda ndaj Turqisë. Gjatë një vizite të trupave ushtarake në Idlib, ai e quajti Erdogan “një hajdut që vodhi fabrikat, grurin dhe naftën dhe tani po vjedh territorin sirian”. Pas nisjes së ofensivës turke, Assad paralajmëroi me kundërpërgjigje ushtarake, pasi aksionin e konsideronte pushtim.

SHKARKO APP