Erdogan: Turqia, veçanërisht në Mesdheun Lindor, nuk do të përkulet nga kërcënimet dhe shantazhet
Turqia sot shënon 98-vjetorin e Ditës së Fitores, e cila përkujton humbjen e forcave greke nga Turqia në Betejën e Dumlupınar-it në vitin 1922.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe oficerë të rangut të lartë ushtarak, si dhe udhëheqës të opozitës, vendosën kurorë në Anıtkabir, mauzoleun e themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, në kryeqytetin Ankara.
Ai komentoi rreth tensioneve në Mesdheun Lindor dhe theksoi se: “Turqia, veçanërisht në Mesdheun Lindor, nuk do të përkulet nga gjuha e kërcënimeve dhe shantazheve, dhe do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj që burojnë në ligjet ndërkombëtare dhe marrëveshjet dypalëshe” raporton Anadolu Agency (AA).
Më parë, Erdoğan gjithashtu bëri një deklaratë me rastin e shënimit të Ditës së Fitores.
“Me fitoren më 30 gusht (1922), i është bërë e qartë të gjithë botës edhe një herë se këto toka janë atdheu ynë i përjetshëm. Nuk është rastësi që ata që u përpoqën ta përjashtonin vendin tonë nga Mesdheu Lindor dhe ata që u përpoqën të pushtonin vendin tonë një shekull më parë, janë të njëjtit pushtues”, shtoi Erdoğan.
Në librin përkujtimor në Anıtkabir presidenti shkroi: “Jemi të vendosur që në vitin 2023, kur kremtojmë 100-vjetorin e Republikës sonë, të hyjmë si një vend më i fuqishëm, i pavarur dhe më i prosperuar në planin ekonomik, ushtarak, politik dhe diplomatik”.