Europa rihap plazhet me masa sigurie

Europa ka nisur të rihapë plazhet, kafenetë dhe restorantet anës detit, teksa Bashkimi Europian bëhet gati gjithashtu të lejojë lëvizjen e lirë duke nisur nga 15 qershori. Vende si Greqia, Italia dhe Spanja, ku ekonomia mbështetet ndjeshëm te turizmi, me rikthimin në plazhe, kanë ndërmarrë masa si pajisja me maska, dezinfektimi dhe ruajtja e distancave ndërmjet pushuesve.

Në Greqi plazhet për vendasit janë hapur që prej 16 majit, e nga kjo e hënë lejohet edhe udhëtimi drejt ishujve, me tragete që operojnë në kapacitet të përgjysmuar. Në 15 qershor do të rihapen të gjitha hotelet dhe fluturimet ndërkombëtare do të lejohen në aeroportin ndërkombëtar të Athinës. Nga 1 korriku vendi do të mirëpresë turistët e huaj, të cilët në rastin se autoritetet greke do ta shohin të përshtatshme, do t’u nënshtrohen testeve. Vizitorët nga shtetet me numër të ulët rastesh me Covid-19 do të jenë të favorizuar.

Qeveria italiane po lejon rajonet të vendosin vetë datën e rihapjes së plazheve, dhe ai Lacios ka zgjedhur 29 majin. Spanja njoftoi gjithashtu rihapjen graduale të plazheve me kushtin që të evitohet kontakti fizik. Edhe pishinat mund të hapen por vetëm me 30% të kapacitetit dhe duke rezervuar më përpara, teksa gjithashtu duhet të pastrohen të paktën tri herë në ditë. Në total, turizmi zë rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Europës, ndaj kriza pritet të japë një goditje të fortë për 27 milionë vendet e punës të lidhura me këtë industri.

SHKARKO APP