“Europa, të veprojë e bashkuar” – Borrell: Prioritet, bashkimi i Ballkanit në BE. Do na “shtypë” SHBA me Kinën!

Shefi i ardhshëm i politikave të jashtme të BE,  Josep Borrell,  tha se unioni duhet të flasë me një zë në skenën ndërkombëtare, përndryshe do të humbasë rëndësi, duke u eklipsuar nga Washingtoni dhe Pekini.  Bashkimi Europian, me një popullsi totale prej mbi 500 milionë njerëz,  zë më shumë 20% të Produktit të Brendshëm Bruto botëror.

“Presidentja e Komisionit, Ursula Von der Leyen, që e ka përcaktuar këtë komision si një komision gjeopolitik, më ka kërkuar që të punoj për një Europë më të fortë në botë.   Ne duhet të bashkojmë sovranitetet kombëtare që të shumëfishojmë fuqinë e vendeve individuale dhe nëse nuk e bëjmë, Europa do bëhet e parëndësishme përballë botës.

Borrel tha se një nga prioritetet e tij për mandatin 5-vjeçar është rritja e kontrollit të eksporteve të armëve të BE, por shtoi se arritja e një dakordësie për këtë përbën një “mision të pamundur”.   Shefi i Politikave të Jashtme shtoi se një tjetër prioritet është që të ndihmojë 6 vendet ballkanike; Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjen dhe Maqedoninë e Veriut,  që t’i bashkohen bllokut një ditë”, është shprehur Josep Borell.

“Unë mendoj me të vërtetë se Ballkani dhe kufiri lindor i  Europës janë prioritete të mëdha për politikat tona të jashtme. Nuk mund të themi se jemi një komision gjeopolitik, nëse nuk zgjidhim problemet në lagjen tonë”, shtoi ai.

Borrel, 72-vjeçari që do zëvëndësojë italianen Federica Mogherini, tha se Europa duhet të jetë e vendosur në veprimet që ndërmerr,  përndryshe do të mënjanohet nga lojtar të tjerë botëror si Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Sipas tij,  përballë një kine gjithnjë e më agresive  dhe Shteteve të Bashkuara që po ndjekin axhendën e Donald Trump “Amerika e Para”, Europa duhet të përdorë fuqinë, në mënyrë që të mbrojë interesat dhe t’i dëgjohet zëri.

SHKARKO APP