Eurozona, në vështirësi/ Eurostat: Ekonomia ngadalësohet në T4 prej Francës dhe Italisë
Rritja ekonomike në Eurozonë u ngadalësua në fundin e vitit 2019, ndërkohë që Produkti i Brendshëm Bruto në Francë dhe Itali pësoi tkurrje.
Agjencia e Statistikave e Bashkimit Europian deklaroi se Produkti i Brendshëm Bruto i Eurozonës u rrit me vetëm 0.1% në tremujorin e katërt nga i treti, dhe me 0.9% me bazë vjetore, poshtë vlerësimeve fillestare për një rritje me 1%.
Norma tremujore tregoi rënie nga 0.3% që u regjistrua në tremujorin e tretë, për shkak të tkurrjes së ekonomisë franceze dhe italiane, me 0.1% dhe 0.3% në mënyrë respektive. Përveç tkurrjes së ekonomisë së dytë dhe të tretë më të madhe të Europës, Gjermania, që është e para, rezultoi në stanjacion.
Eurostat publikoi edhe të dhënat mbi punësimin në zonën euro, që u rrit me 0.3% në tremujorin e fundit 2019. Të dhëna të tjera të agjencisë treguan një rritje të sufiçiti tregtar të Eurozonës, në 23.1 miliardë euro në Dhjetor, nga 16.3 miliardë euro që ishte një vit më parë.