Eurozona vuan pasojat e kufizimeve, bie besimi i bizneseve të prodhimit dhe shërbimit

Bizneset e Eurozonës kanë besim më të ulët te ekonomia pak javë pasi qeveritë europiane vendosën masa kufizuese për t’i bërë ballë valës së dytë të pandemisë së koronavirusit. 

Masat e reja kufizuese kundër Covid-19 në kontinent kanë krijuar menjëherë pasojat e para në ekonomitë e vendeve që përdorin monedhën europiane.

Kompanitë private të prodhimit dhe shërbimit në Eurozonë raportuan për muajin nëntor rënie të aktivitetit në nivelin 45,1 pikë.

Vlerësimi nën 50 pikë tregon se zona europiane mbetet në pragun e recesionit.

Franca si ekonomia e dytë më e madhe u godit veçanërisht nga kufizimet për banorët dhe bizneset, me këto të fundit që raportuan më pak se 40 pikë apo vlerën më të ulët në 6 muaj.

Ekonomia numër një, ajo germane, arriti të zgjerohej në të njëjtën periudhë e ndihmuar nga eksportet drejt Azisë dhe një numër relativisht më i vogël rastesh me koronavirus.

Sikundër vendet e tjera, lëkundjet më të thella i ndjeu sektori i shërbimeve si pasojë e mbylljes së dyqaneve pa rëndësi jetike, kufizimeve në lëvizje apo oraret policore.

Ekspertët e ekonomisë presin që në shkallën vjetore, ekonomia e eurozonës do të zvogëlohet me 7,4 për qind për 2020-n dhe prodhimi bruto të zgjerohet me mbi 3 për qind vitin tjetër.

Por lajmi se së shpejti mund të ketë një vaksinë për përdorim të gjerë ka rritur, ndërkohë, besimin se bizneset në 12 muajt e ardhshëm do të mund t’i rikthehen aktivitetit ekonomik normal.

Në Londër, njoftimi për vaksinën e Oksfordit dhe efikasitetin e saj të lartë te pacientët e sëmurë me kovidin-19, i rriti aksionet e bursave, njësoj si në Frankfurt dhe në Paris ku tregjet financiare u zgjeruan me afro 1 për qind.

Shtim të vlerës raportuan edhe kompanitë farmaceutike të regjistruara në bursa apo kompanitë ajrore dhe prodhuesit e avionëve të prekur po aq rëndë nga kufizimet antikovid.

Me 1 për qind u rrit edhe vlera e naftës bruto në pragun e 45 dollarëve fuçia, rreth 5 për qind më shumë sesa një javë më parë, ndërsa metalet e çmuara u zhvlerësuan disi nga javët e kaluara.

SHKARKO APP