Evropa fillon të rihapë kufijtë, por ende nuk ka udhëtime pa kufi

Bruksel – Vendet evropiane lehtësuan disa kontrolle kufitare të hënën pas bllokimeve prej koronavirusit, por ende vazhdon mbyllja e Spanjës, copëza kufizimesh diku tjetër dhe mënyra të reja të punës në kushtet e pandemisë.

Zona e Shengenit prej 22 shtetesh të BE plus Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën operon me pika kufitare pa kontroll, por ato kanë qenë kryesisht të mbyllura për tre muaj për të gjithë, përveç për mallrat dhe punëtorët e domosdoshëm.

Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson u kërkoi anëtarëve të Shengenit javën e kaluar të heqin kontrollet e kufijve të brendshëm deri të hënën, për të lejuar një rihapje graduale me vendet e tjera nga korriku.

Ky veprim mund të ndihmojë në shpëtimin e një pjese të sezonit të verës për industrinë e turbulluar të udhëtimit dhe turizmit në Evropë. Me pushimet dhe kulturën, sektori përbën pothuajse 10% të ekonomisë së BE-së dhe një të ardhur të mirë për pjesën më të madhe të vendeve mesdhetare, disa prej të cilave u goditën më rëndë nga pandemia.

Nga Islanda në Greqi, shumë kufizime për vizitorët në BE dhe Shengen do të lehtësohen të hënën, por nuk do të jetë një kthim udhëtimesh plotësisht i lirshëm për 420 milionë banorë të zonës Schengen.

Spanja nuk do të lejojë asnjë turist të huaj deri më 21 qershor, me përjashtim në disa ishuj spanjollë.

Diku tjetër, e drejta për të udhëtuar do të varet nga vendi ku jetoni dhe ku po shkoni.

Greqia do të përdorë karantinat për ata që vijnë nga një varg aeroportesh nga tetë vende të BE-së.

Republika Çeke ka një sistem “semafori”, duke ndaluar hyrjen për turistët nga vendet “portokalli” ose “të kuqe” siç janë Portugalia dhe Suedia.

Danimarka do të lejojë turistët nga Islanda, Gjermania dhe Norvegjia, por veçanërisht jo nga Suedia, me kusht që ata të rezervojnë strehim të paktën gjashtë netë.

Karantina e detyrueshme dy-javore e Britanisë për vizitorët do të thotë se britanikët do të përballen me të njëjtën mbyllje në Francë.

Para krizës, një mesatare prej 3.5 milionë njerëzish kalonin një kufi të brendshëm të BE-së çdo ditë, sipas një raporti të Parlamentit Evropian vitin e kaluar dhe rreth 1.7 milionë prej tyre lëvizin për të punuar.

Shumë prej këtyre të fundit tani punojnë nga shtëpia, ndërsa kufizimet e vazhdueshme dhe shqetësimet për shëndetin pritet të frenojnë turizmin dhe udhëtimet në biznes.

 

SHKARKO APP