Facebook gjobitet nga Britania për shkelje të privatësisë
Facebook-u ka pranuar të paguajë një gjobë prej 644 mijë dollarësh për shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave, në një rast që përfshin kompaninë e konsulencës “Cambridge Analytica”. Lajmi u njoftua të mërkurën nga enti rregullator mbi të drejtat e informimit në Britani.
Drejtori i Përgjithshëm i Facebook-ut Mark Zuckerberg është marrë në pyetje nga ligjvënësit amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian që kërkonin të dinin se si “Cambridge Analytica” arriti të sigurojë të dhënat personale të 87 milionë përdoruesve të Facebook-ut.
Vitin e kaluar zyra e Komisionerit për Informim i vendosi një gjobë simbolike Facebook-ut për shkak se të dhënat e të paktën 1 milion përdoruesve britanikë ishin mes atyre të mbledhura nga “Cambridge Analytica” e që ishin përdorur për qëllime politike. Të mërkurën autoritetet e kësaj zyre thanë se fakti që Facebook-u kishte hequr dorë nga apelimi i çështjes e kishte rënë dakord për të paguar gjobën, nuk do të thoshte se kishte pranuar përgjegjësinë mbi rastin.
Nga ana tjetër kompania e medias sociale tha se ishte e kënaqur që kishte arritur një marrëveshje duke shtuar se do të kishte dashur të kishte bërë më shumë për të hetuar pretendimet lidhur me “Cambridge Analytica-n” në 2015-n.
Një nga përfaqësuesit e Facebook-ut tha se “kompania ka bërë ndryshime të mëdha në platformën e saj që nga ajo periudhë, duke kufizuar ndjeshëm qasjen tek informacioni”.
/Zëri i Amerikës