Facebook: Ndaluam një fushatë spiunimi të inteligjencës palestineze

Kompania Facebook deklaron se ka çaktivizuar llogaritë e përdorura nga organizata e brendshme e inteligjencës palestineze për të spiunuar gazetarët, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe kundërshtarët politikë.

Këto operacione të spiunazhit “të motivuara politikisht”, sipas Facebook-ut, janë bërë nga krahu kibernetik i Shërbimit të Sigurisë Parandaluese Palestineze (PSS), e cila është besnike ndaj presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Operacionet shënjestruan reporterët, aktivistët dhe disidentët palestinezë, si dhe grupe të tjera në Siri dhe gjetkë në Lindjen e Mesme.

Raporti u lëshua përpara zgjedhjeve të rëndësishme legjislative palestineze që janë planifikuar të mbahen muajin e ardhshëm.

Duke operuar nga Bregu Perëndimor, fushata u bë përmes virusëve të infiltruar në pajisjet Android dhe qëllimi i të cilëve ishte që të mbledhin informacione, duke përfshirë “regjistrat e thirrjeve, vendndodhjen, kontaktet dhe mesazhet me tekst”, tha raporti.

Raporti gjithashtu vuri në dukje ato që ai i quajti “operacione spiunazhi kibernetik” nga i ashtuquajturi grup Arid Viper.

Ekspertët e pavarur thonë se grupi ka filluar sulme kibernetike nga Gaza drejt Izraelit që nga viti 2013. Shënjestra e Arid Viper kësaj here nuk ishte Izraeli, por përkundrazi palestinezët.

Muajin e ardhshëm është paraparë të mbahen zgjedhjet palestineze në të cilat lëvizja Fatah e presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas vihet përballë lëvizjes Hamas. Lëvizja Hamas, që kontrollon Rripin e Gazës, konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

SHKARKO APP