Falja e parë në ”Hagia Sofia”, Erdogan reciton vargje nga Kurani

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, iu bashkua të premten një turme të madhe besimtarësh myslimanë, të cilët mbajtën faljen e parë në Hagia Sofia, që prej vendimit për ta rikthyer atë në xhami.

Godina qindra vjeçare ka shërbyer më parë si kishë dhe xhami, por prej dekadash ishte kthyer në muze. Vendimi për rikthimin e saj në xhami inatosi të krishterët dhe laikët në Turqi por u kritikua edhe në Europë.

Presidenti Erdogan recitoi edhe vargje të Kuranit para nisjes së faljes, zëri i tij u dëgjua edhe nga besimtarët e shumtë të mbledhur në sheshin para Xhamisë së Madhe. Gjykata e Lartë Administrative i hoqi Shën Sofisë statusin e monumentit të kulturës në 10 korrik duke i hapur kështu rrugën Erdoganit për ta rikthyer në xhami.

Falja e të premtes ishte e para e mbajtur në godinën simbol të Stambollit që prej 86 vitesh. Si për të treguar kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi, liderët ortodoksë vendosën të mbanin një ditë zi. Në Stamboll, dikur të quajtur Kostandinopojë, ka selinë edhe Patriarku Ortodoks, i quajtur “i pari mes të barabartëve” ndër krerët e Kishave Ortodokse Autoqefale.

SHKARKO APP