Fauci kritikon Britaninë: Nxitoi në aprovimin e vaksinës ndaj COVID-19

Anthony Fauci, eksperti i njohur amerikan për sëmundjet infektive, ka kritikuar Mbretërinë e Bashkuar lidhur me procesin e aprovimit të vaksinës për COVID-19.

Sipas doktor Faucit, rregullatori britanik nxitoi në aprovimin e vaksinës antiCOVID.

“Nëse aprovimi ndodh shpejt dhe në mënyrë sipërfaqësore, qytetarët nuk do të duan të vaksinohen”, deklaroi virologu për Fox News.

Në fjalën e tij, Fauci mbrojti procesin e Administratës për Ushqimin dhe Ilaçet, FDA dhe tha se në SHBA të dhënat vëzhgohen me shumë kujdes për t’iu garantuar amerikanëve një vaksinë të sigurt.

“Ne vëzhgojmë të dhënat me shumë kujdes për t’i garantuar amerikanëve se kjo është një vaksinë e sigurt dhe efikase”, u shpreh Fauci.

Kujtojmë se dje Mbretëria e Bashkuar u bë shteti i parë në botë që aprovoi përdorimin emergjent të vaksinës të prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech ndaj COVID-19.

Sipas të dhënave nga testet klinike, kjo vaksinë ka treguar një efektivitet deri në 95%.

Vaksinimi pritet të nisë javën e ardhshme, ku përparësi do të ketë personeli shëndetësor dhe të moshuarit. Britania do të vaksinojë 20 milionë njerëz në dy faza.

SHKARKO APP