“Ferri zbret në Tokë”, zjarre dhe temperatura rekord
Kalifornia ka shpallur gjendjen e emergjencës për shkak të të nxehtit rekord dhe zjarreve të shumta që po shkatërrojnë këtë shtet amerikan.
“Po vendosim në aksion të gjitha burimet e mundshme për të garantuar siguri për komunitetet në zonat e zjarrit në këto kushte ekstreme klimatike”, u shpreh guvernatori Gavin Newsom.
Mijëra zjarrfikës janë angazhuar në shuarjen dhe mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit, ndërsa pamjet e publikuara nga CNN shfaqin skena ferri në tokë.
Aktualisht flakët po shkrumbojnë deri në 20 kilometra katrorë brenda një dite. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të rrezikuar që të marrin shumë seriozisht këtë emergjencë.