Fitoi betejën ndaj koronavirusit, rikthehet në detyrë kryeministri rus Mishustin

Rikthehet në detyrë kryeministri rus, Mikhail Mishustin, pasi fitoi betejën me koronavirusin.

Lajmi u bë i ditur nga Kremlini zyrtar. Një dekret i nënshkruar nga presidenti Vladimir Putin, i botuar në faqen e internetit të Kremlinit, anuloi aktvendimin e tij të mëparshëm, me të cilin zëvendëskryeministri Andrei Belousov është emëruar ushtrues detyre, për shkak të sëmundjes së Mishustinit. Mishustin njoftoi më 30 prill se ishte prekur nga COVID-19.

Ai ka zhvilluar disa takime online me qeverinë e tij, gjatë qëndrimit në spital. Të martën, autoritetet në Rusi thanë se kanë regjistruar edhe 9,263 raste të reja me koronavirus, të cilat e rrisin në 299,941 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në këtë vend.

Shifra për 24 orët e fundit është nën 10,000 për të katërtën ditë me radhë. Për pjesën më të madhe të muajit maj, numri ditor i të infektuarve në Rusi ka qenë mbi 10,000, ndërsa numri i të vdekurve në 24 orë shkoi në 115.

SHKARKO APP