Fjalën secili, mendim gati askush

Nga: Nezir Kraki”

Vërtetë Facebook është sot tribuna më e madhe publike ku secili mund te shprehet lirshëm. Është « sheshi » më i madh në botë ku ndodhin manifestime individuale e kolektive dhe ku lindin ide që edhe mund t’i jenë të dobishme njerëzimit.

POR, kjo nuk do të thotë se ne të gjithë jemi të obliguar të shprehemi rreth gjithçkaje. Nuk do të thotë se bota apo rrethi ynë kanë gjithsesi nevojë për mendimin tonë modest dhe shumë shpesh të pa menduar sa duhet.

Në fakt, e kam njëfarë droje që tribuna e Mark Zuckerbergut ka filluar të kthehet në një stendë pazari që duron gjithçka. Secili është bindur tashmë se mendimi i tij peshon. Disa bëjnë analiza, disa bëjnë shkrime qejfi, disa komentojnë analiza pa i lexuar e disa tjerë, më të bindurit, edhe « krijojnë » deri në maksima e fjalë të urta origjinale. Nevoja për citime e huazime veç është zhdukur sepse të gjithë u bëmë krijues të diçkaje të re. Tash secili e ka fjalën, askush s’degjon.

Personalisht jam fort ithtar i shprehjes së lirë dhe i mendimit por jam shumë më shumë ithtar i mendimit të shprehur qartesisht dhe me arsye. Wittgenstein thoshte se « ajo që mund të thuhet lirshëm duhet të thuhet qartësisht ose të mos thuhet hiq ». E fiks këtu e kam hallin unë, pa asnjë tendencë nënçmimi.

Halli im është se jemi duke thënë shumë dhe asgjë s’po mbetet. Jemi duke u ngutur për të thenë apo për t’u dukur por koha po kalon mbi ne pa u shenjuar nga ne, as nga dukja jone as nga mendimi ynë. Më duket se i jemi futur një gare që për finalitet ka mediokrizimin e shoqërive, sidomos shoqërive që kurrë s’kanë dalë nga zona kritike e mediokritetit, sepse kurrë s’u emancipuan si dhe sa duhej.

Pse nuk mjaftohemi ndonjëherë veç me leximin e një shkrimi të mirë, me shikimin e një filmi të mirë apo qoftë edhe me heshtjen dhe vetminë n’mendim? Edhe fjala e lirë e do pak takt e pak rregull. Liria e shprehjes nuk e amniston injorancën.

Nuk dua këtu t’i dekurajoj ata që kanë vullnet ta marrin fjalën veçse le të dihet që fjala duhet të thuhet apo shkruhet në shërbim të mendimit. Duhet të jemi të sinqertë me veten tonë. Mos të bindemi me automatizem se mundemi sepse dikush tjetër ka mundur.

Sot me trishtim duhet të konstatojmë që shumica e gjërave të cilat i shohim apo lexojmë në tribunën e Zuckerbergut janë sa naive aq edhe siperfaqësore. Trishtim sepse në një mënyrë ajo është vitrina jonë. Vitrinë e stermbushur me mediokritet dhe e stolisur me kiç-kulturë.

E tash, nëse thënjën e Dekartit « mendoj prandaj jam » e marrim seriozisht, atëherë kjo i bie se ne sot në masë të madhe NUK JEMI.

T’mundohemi me qenë, t’mendojmë!

Paris, 22 prill 2018
Nk

*Lektor ne Universitetin Paris Est, France

SHKARKO APP