Fjalimi i fundit në OKB, Biden: Jam i pikëlluar, pengjet dhe civilët po jetojnë në ferrin e Gazës
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden në fjalimin e fundit në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në New-York, foli për demokracinë, pushtetin dhe luftën në Gaza. Biden iu referua qindra civilëve të vrarë gjatë sulmit të Hamasit në Izrael 11 muaj më parë dhe numrit të madh që u morën peng.
”Jam takuar me familjet e atyre pengjeve. Unë jam pikëlluar me ta. Ata po jetojnë një ferr të vërtetë. Civilët e pafajshëm në Gaza po jetojnë gjithashtu një ferr. Mijëra e mijëra të vrarë, përfshirë punëtorët e ndihmës. Shumë familje të zhvendosura, të grumbulluara në tenda, duke u përballur me një situatë të rëndë humanitare”, tha Joe Biden, President i SHBA.
Në pjesën përmbyllëse të fjalimit të tij përfundimtar në OKB, Biden iu referua vendimit të tij për të braktisur fushatën e tij të rizgjedhjes në fillim të kësaj vere. ”Të qenit president ka qenë nderi i jetës sime. Ka shumë më tepër që dua të bëj. Aq sa e dua punën, e dua më shumë vendin tim. Vendosa, pas 50 vitesh shërbimi publik, është koha që një gjeneratë e re lidershipi të çojë përpara kombin tim. Shokë liderë të mi, të mos harrojmë kurrë se disa gjëra janë më të rëndësishme se të qëndrosh në pushtet. Janë njerëzit tuaj ata që kanë më shumë rëndësi”, tha Biden.