Foli për sulm bërthamor, “Pezullohet” Ministri izraelit

Në një lëvizje surprizë, sekretari Amerikan i Shtetit ka zbritur në Bregun Perëndimor për të takuar kreun e autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas.
Pas gati 1 orë bisedime, ata nuk u prononcuan për shtyp. Por, zëdhënësit e palëve dhanë detaje mbi temat e diskutuara.

Blinken prej disa ditësh ndodhet në takime intensive në Lindjen e Mesme, ndërsa ka propozuar formulën e pauzës humanitare, që çdo ditë, Izraeli të lejojë kalimin e ndihmave humanitare për civilët në Gaza në orare të caktuara. Ai gjithashtu ka sugjeruar se rivitalizimi i Autoritetit Palestinez për të udhëhequr Gazën pas luftës është vital.
Ndërsa Autoriteti Palestinez menaxhon Bregun Perëndimor, ai nuk ka kontroll mbi Gazën, e cila është dominuar nga Hamasi që nga viti 2007. Hamasi, që njihet si një organizatë terroriste nga BE, SHBA dhe disa shtete arabe ndër të tjera, mori kontrollin e Gazës pas një konflikti të shkurtër të armatosur me partinë Fatah të Abbasit në të njëjtin vit.

Izraeli po vijon operacionin tokësor në Gaza dhe ka refuzuar thirrjet për armëpushim. Mëngjesin e sotëm një kamp refugjatësh në Mezgaha u godit nga raketat ajrore duke shkaktuar 33 viktima dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Në një përditësim të fundit Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës të drejtuar nga Hamasi tha të paktën 9.770 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas më 7 tetor. Me presionin ndërkombëtar në krye për shmangien e një katastrofë humanitare, qeveria izraelite shkarkoi ministrin e Trashëgimisë, Amihai Eliyahu, i cili në një intervistë radiofonike tha se mundësia e përdorimit të një bombe bërthamore në Gaza nuk është përjashtuar nga opsionet.

Reagimet ishin të menjëhershme nga kabineti qeveritar, ndërsa në një postim, kryeministri Netanjahu u shpreh se deklaratat nuk janë të bazuara në realitet, dhe se Izraeli po ndjek standardet më të larta ndërkombëtare për shmangien e viktimave civile. Në shënjestër janë vetëm luftëtarët terroristë tha ushtria izraelite, ndërsa civilëve u ka bërë thirrje të evakuohen në jug të vendit.

SHKARKO APP