Fotografojnë aksidentin në rrugë, polici gjerman i vë gjobë dhe i detyron të shikojnë viktimën
Një video e publikuar në internet, tregon momentin kur një polic gjerman ndalon shoferët gjatë një aksidenti të rëndë në një autostradë dhe nervozohet keq me ta pasi i pa duke i bërë foto dhe video aksidentit.
Polici gjerman shihet duke i ndalur ata që incizuan aksidentin dhe duke i ftuar të dalin jashtë automjetit dhe t’i shikojnë viktimat.
“Hajde, hajde të tregoj diçka”, i thotë polici shoferit të një kamioni. “A dëshiron t’i shohësh të vdekurit? T’u bësh foto? Hajde”, vazhdon t’i thotë polici.
Duke vazhduar për tek vendi i aksidentit, polici vazhdon t’i thotë shoferit: “Dëshiron t’i shohësh? Jo? Atëherë pse po i fotografon? Nëse dëshiron, mund ta përshëndesësh”, i thotë polici, transmeton Gazeta Express.
Kjo video u bë virale në Gjermani dhe gjobat prej 128 euro janë ende duke u shqyrtuar për shoferët që incizuan aksidentin. Në të ardhmen, t’u bësh foto dhe video aksidenteve në rrugë, mund të dënohesh deri në 2 vjet burg në Gjermani.