Franca, apel vendeve arabe
Franca u kërkoi vendeve të Lindjes së Mesme t’u japin fund thirrjeve për bojkotin e mallrave të saj. Produktet franceze janë hequr nga disa dyqane në Kuvajt, Jordani dhe Katar në shenjë proteste ndaj qëndrimeve të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili mbrojti të drejtën për të publikuar karikaturat e Profetit Muhamed. Ministria e Jashtme franceze u shpreh se “thirrjet e pabazuara për bojkotin e mallrave po nxiteshin nga një pakicë radikale”.
Protesta të shumta sakaq, sipas BBC-së janë zhvilluar në Libi, Siri dhe Rripin e Gazës. Indinjatën e nxitën komentet e presidentit Macron, pas vrasjes së tmerrshme të një mësuesi në Francë, i cili tregoi karikaturat e Profetit Muhamed gjatë një ore mësimi.
Macron tha që mësuesi, Samuel Paty, “u vra sepse islamistët duan të ardhmen tonë”, por Franca “nuk do të heqë dorë nga karikaturat”. Sekularizmi është thelbësor për identitetin kombëtar të Francës. Frenimi i lirisë së shprehjes për të mbrojtur ndjenjat e një komuniteti të veçantë, sipas shtetit francez, minon unitetin.