Franca dhe strategjia e daljes nga karantina
Franca ka nevojë emergjente për një strategji daljeje nga karantina për të shmangur një valë të dytë edhe më të rëndë të prekurish që do e mbingarkonte edhe më shumë sistemin shëndetësor të vendit. Studimi i publikuar nga Qendra Kombëtare Kërkimore e Shëndetit dhe Mjekësisë në Paris, paralajmëron se edhe nëse masat shtrënguese do të liroheshin nga fundi i majit apo qershori, testimi në shkallë te gjerë është i domosdoshëm për të shmangur rastet e reja.
Në raport thuhet se heqja e karantinës pa kryer testet mund të çojë drejt pikut të rasteve të rënda, e cila do të kërkonte 40 herë më shumë shtretër në terapi intensive. Raporti u publikua një ditë përpara fjalimit të presidentit Emmanuel Macron ku ai pritet të informojë francezët për shtyrjen e afatit të karantinës. Miliona francezë po qëndrojnë në shtëpitë e tyre që nga 17 marsi, ata mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për të bërë pazaret e domosdoshme, të vizitojnë mjekun ose për aktivitet fizik.
Kontrolli i epidemisë pa u bërë barrë e sistemit të shëndetësisë do të kërkojë masa distancuese të forta krahas testimeve në masë për të identifikuar menjëherë personat e infektuar dhe më pas izolimin e tyre.