Franca: Do të ketë sulme të reja

Pas sulmit islamik në Nice i cili shkaktoi tre të vdekur, Franca ka paralajmëruar qytetarët e saj në të gjithë botën për sulme të mundshme ndaj tyre. “Kërcënimi është kudo”, tha Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian pas një takimi të kabinetit të sigurisë të kryesuar nga Presidenti Emmanuel Macron.

Presidenti Macron kishte njoftuar më parë se njësia kundër-terrorizmit e ushtrisë do të shtohet nga 3,000 në 7,000 vetë. Pas ngjarjes se Nice-s, Macron tha se e gjithë Franca ishte sulmuar, ndërsa Kryeministri Jean Castex shpalli shkallën më të lartë të rrezikut nga terrori në vend.

Forcimi i masave të sigurisë lidhet me kërcënimet dhe protestat masive kundër Francës në vendet myslimane. Të enjten ish-kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, e quajti si të ligjshme “vrasjen e miliona francezëve”. Ai e justifikoi këtë me “masakrat” franceze të epokës koloniale. Nën presionin e qeverisë franceze Twitter i fshiu mesazhet e shkurtra të Mahathir Mohamadit.

Protesta kundër Macronit pati edhe në Bangladesh, Pakistan, Afganistan si dhe në territoret palestineze. Udhëheqësi i Hamasit Fatih Hammad tha para demonstruesve në kampin e refugjatëve Xhebalia: “Abuzimi me profetin tonë Mohammed nga Franca shkel besimet e dy miliardë myslimanëve në të gjithë botën”.

SHKARKO APP