Franca kërcënohet nga greva më e rëndë ndër vite
Franca kërcënohet sot nga një ngërç total, ndërsa miliona punonjës pritet të marrin pjesë në protesta masive kundër reformave në pensione.
Transporti pritet të goditet më së shumti pasi fluturimet dhe udhëtimet me trena dhe autobusë do të anulohen, ndërsa pjesa më e madhe e sistemit të metrosë në Paris do të ndërpritet. Punonjësit e arsimit, policisë dhe spitaleve pritet të bashkohen në atë që konsiderohet si greva më e madhe mbarëkombëtare në vite.
Sipas ministrit të Brendshëm, Christophe Castaner, 250 demonstrata pritet të zhvillohen në mbarë vendin, disa prej te cilave mund të degjenerojnë në dhunë.
“E dimë se do të ketë shumë njerëz në protesta, e dimë se ka rreziqe. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm se pjesëtarë radikalë të jelekëverdhëve do të marrin pjesë në protestat e Parisit dhe jo vetëm”, tha Christophe Castaner.
Autoritetet po përpiqen të gjejnë mënyra për të parandaluar ngërçin, ndërsa i druhen një përsëritje të grevës për pensionet në vitin 1995 që paralizoi sistemin e transporteve për 3 javë.
Ndërkaq sindikatat kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë grevën deri sa presidenti Emannuel Macron të heqë dorë nga planet e tij.
Macron planifikon një sistem “universal” të pensioneve, që do të eliminojë dhjetëra të ashtuquajtura regjime të posaçme për sektorët që shpesh u japin punëtorëve pensione më të larta ose pensione të parakohshme.
Sindikatat pretendojnë se reforma do të kërkojë nga miliona punëtorë që të punojnë përtej moshës së pensionit ligjor, 62 vjeç, ose do të përballen me pensione të zvogëluara.