Franca pezullon 3 mijë punonjës të shëndetësisë pasi refuzuan vaksinën
Rreth 3 mijë punonjës të sektorit të shëndetësisë janë pezulluar në Francë, pasi refuzuan të vaksinohen kundër koronaviursit.
Sipas një ultimatumi të qeverisë Macron, i gjithë stafi shëndetësor duhej të të merrte të paktën një dozë të vaksinës deri në 15 shtator, ose në të kundërtën do të pezullohej.
“Rreth 3 mijë punonjës u njoftuan për pezullim nga puna në qendra shëndetësore dhe klinika, pasi refuzuan të vaksinoheshin”, deklaroi Oliver Veran, ministër francez i Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë shtoi se dhjetëra punonjës kishin dhënë dorëheqjen, për të mos marrë vaksinën, por me një staf prej 2.7 milionë punonjësish, sipas tij, kujdesi shëndetësor është i garantuar.
Rreth 90% e stafit shëndetësor janë të imunizuar, dhe sondazhet sugjerojnë se shumica e qytetarëve e mbështesin vaksinimin e detyrueshëm. Megjithatë, ndërsa 300 mijë janë ende të pavaksinuar, disa spitale druhen se do të përballen me mungesë stafi.
“Nuk më lejohet të punoj. Paga ime është ngrirë dhe nuk përfitoj nga benefitet. Jam e pezulluar. Ndjej neveri…i them vetes se do të gjej një punë jashtë sektorit të shëndetësisë”, thotë Vanessa, një sekretare e pa vaksinuar.
Shumë infermiere po hezitojnë të vaksinohen, duke cituar shkaqe sigurie apo efektshmërie. Në total, 70% e francezëve mbi 12 vjeç, i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, një prej niveleve më të larta të vaksinimit në botë. Por 74% kanë marrë vetëm një dozë, që sugjeron që një numër I konsiderueshëm qytetarësh po bëjnë rezistencë.